Lidhje

Dëshmi e re për shkarkimin e 8 prokurorëve amerikanë

  • Deborah Tejt

Duke dëshmuar vullnetarisht dhe nën betim para Komisonit Juridik të Senatit, ish shefi i personelit të zotit Gonzales, Kajëll Sampson, iu kundërvu deklaratës që Prokurori i Përgjithshëm bëri në fillim të këtij muaji se ai nuk ishte angazhuar në diskutimiet rreth zëvendësimit të tetë prokurorëve federalë.

“Nuk mendoj se deklarata e Prokurorit të Përgjithsëm se nuk ishte angazhuar në ndonjë diskutim për pushimin e prokurorëve amerikanë është e saktë”.

Zoti Sampson dhe Prokurori i Përgjithshëm Gonzales morrën pjesë në një takim rreth kësaj çështjeje më 27 nëntor të vitit të kaluar, vetëm disa ditë para shkarkimit të prokurorëve.

Zoti Sampson, i cili dha dorëheqjen në fillim të këtij muaji, tha se kishte shkëmbyer informacion me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë rreth shkarkimeve vitin e kaluar, megjithë deklaratat mohuese që kishte bërë Prokurori i Përgjithshëm. Ai tha se zoti Gonzales ishte ai që nënshkroi vendimin për shkarkimin e prokurorëve.

Komisioni Juridik i Senatit, i udhëhequr nga demokratët, po heton nëse administrata e Presidentit Bush e keq informoi Kongresin rreth arsyeve për shkarkimet dhe nëse ato ishin të motivuara politikisht dhe u bënë për të frikësuar prokurorë të tjerë.

Senator Patrik Lehi, demokrat nga Vermonti, është kryetar i komisionit juridik të Senatit.

“Unë do të doja që populli amerikan të ketë besim tek agjencitë e rendit dhe do të doja gjithashtu që zyrtarët e rendit të gëzojnë pavarësinë për të cilën kanë nevojë që të jenë efektivë dhe të meritojnë besimin e popullit amerikan”.

Zoti Sampson e mbrojti vendimin për zëvendësimin e prokurorëve, duke thënë se ishte bazuar në arsye të ligjshme që kishin të bënin me punën e tyre, megjithatë ai pranoi se arsye të tilla mund të shikohen edhe si të motivuara politikisht.

Senatori Xhon Kornin, republikan nga Teksasi, tha se nuk ka asgjë të gabuar lidhur me shkarkimet.

“Me sa kam dëgjuar unë, nuk ka asnjë fakt se ndonjë prej zëvendësimeve të prokurorëve amerikanë ka dëmtuar ndonjë çështje kriminale”.

Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales është thirrur të dëshmojë para komisionit juridik të Senatit muajin e ardhëshëm.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, përsëriti edhe një herë se Presidenti ka besim tek Prokurori i Përgjithshëm. //ze//

XS
SM
MD
LG