Lidhje

Kryeministri i Kosovës theksoi rëndësinë e unitetit të BE-së


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku theksoi sot në Prishtinë rëndësinë që ka dëshmimi i unitetit të Bashkimit Evropian në lidhje me statusin e Kosovës.

Kryeministri, i cili i bëri këto komente në një mbledhje të qeverisë, tha se ky unitet zvogëlon hapësirën e veprimit dhe i bën të pavlefshme argumentet e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës. Zoti Çeku tha gjithashtu se është me rëndësi që
Këshilli i Sigurimit te nxjerrë sa më shpejt një rezolutë të re për Kosovën, e cila do të zëvendësojë Rezolutën 1244.

Komentet e kryeministrit u bënë pasi qeveria e tij përshëndeti miratimin e rezolutës së
parlamentit evropian për Kosovën, i cili mbështeti rekomandimin e kryenegociatorit për statusin e Kosovës Marti Ahtisari.

Qeveria e kryeministrit Agim Çeku, tha më parë se me miratimin e kësaj rezolute, Parlamenti Evropian u tregua unik në mbështetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për statusin e Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran.

"Miratimi i deklaratës nga Parlamenti Evropian, e cila midis të tjerash i bën thirrje
Këshillit të Sigurimit të miratojë së shpejti një rezolutë të re për Kosovën, e cila do të zëvendësonte Rezolutën 1244 dhe do t'i hapte rrugë zhvillimit të Kosovës, është tregues i mirëfilltë se Evropa është e bashkuar në qëndrimin se procesi i pavarësimit të Kosovës është i pakthyeshëm dhe i vetmi projekt që mundëson stabilitet, mbrojtje për komunitetet, si dhe zhvillim ekonomik e social të Kosovës dhe më gjerë",
tha qeveria në një deklaratë për media sot pasdite në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës përsëriti gadishmërinë për krijimin e një shteti sipas kritereve evropiane dhe që në perspektivë do të jetë anëtar i denjë i Bashkimit Evropian, siç u shpreh ajo. //ze//

XS
SM
MD
LG