Lidhje

Rusi: Demokracia, zgjedhjet dhe mandati i presidentit Putin


Kryetari i Dhomës së Lartë të parlamentit rus propozoi heqjen e kufizimit që i lejon vetëm dy mandate presidentit të vendit - gjë që do ta lejonte presidentin Vladimir Putin të kandidojë për t’u rizgjedhur vitin e ardhshëm.

Zoti Sergei Mironov tha sot se kushtetuta duhet të ndryshohet për t’i dhënë presidentëve tre mandate të njëpasnjëshme. Ai shtoi se mandati i tanishëm katër vjeçar duhet të bëhet të paktën pesë vjet.

Një zëdhënës i Kremlinit tha sot se presidenti Putin është kundër ndryshimeve kushtetuese që do ta zgjasnin mandatin e tij. Udhëheqësi popullor i Rusisë ka përsëritur vazhdimisht se presidenti i ardhshëm i vendit do të zgjidhet në mënyrë demokratike.

Pas një viti, Rusia do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale. Në rast se procesi zgjedhor do të jenë transparent dhe i drejtë, rusët do të bëheshin dëshmitarë të një kalimi demokratik të pushtetit si asnjëherë më parë. Por disa analistë janë të shqetësuar se kjo mund të mos ndodhë dhe Presidenti i tanishëm Vladimir Putin, mund të gjejë mënyrën për të qendruar në fuqi megjithëse kushtetuta nuk ia lejon një mandat të tretë.

Zoti Putin erdhi në pushtet si president në detyrë në vitin 1999, kur paraardhësi i tij Boris Jelcin dha papritur dorëheqjen. Në atë kohë, zoti Jelcin shprehu besimin se Rusia do të zhvillohej si vend demokratik. Në një konferencë shtypi që dha në Moskë kohët e fundit, zoti Putin i siguroi skeptikët se zgjedhjet presidenciale të 2008-s do të jenë demokratike.

"Nuk kemi pse bëjmë zhurmë rreth zgjedhjeve të ardhëshme por siç e kam thënë edhe më parë, ato janë shans për një alternativë objektive. Ne duhet të sigurojmë një alternativë të lirë demokratike. Edhe unë jam qytetar i Federatës Ruse dhe për këtë jam krenar. Kam të drejtën të shpreh preferencën time për presidentin e ardhshëm por këtë do ta bëj vetëm në periudhën parazgjedhore."

Vëzhguesit politikë thonë se favoritët kryesorë për president janë zëvendës kryeministrat e parë Sergei Ivanov dhe Dmitry Medvedev. Por disa rusë do të donin që zoti Putin, i cili është popullor në Rusi, të mbetet në këtë post megjithëse kushtetuta nuk e lejon.

Ja ç’thotë ky pensionist i Moskës me emrin Juri.

"Ne duhet ta kishim patur një president të tillë shumë kohë më parë. Ndoshta zoti Putin do të kandidojë përsëri dhe nëse jo atëhere duhet të zgjedhim një njeri të denjë që të vazhdojë punën e tij."

"Nuk do të ishte aspak e habitëshme që zoti Putin të gjente mënyrën për të qendruar në postin e presidentit,” thotë David Satter, ekspert për Rusinë në Institutin Hadsën të Uashingtonit.

Ai shpjegon se ndalimet kushtetuese nuk e penguan zotin Putin të emërojë guvernatorët e republikave.

Emërimi i drejtpërdrejtë i guvernatorëve është vetëm njëri aspekt i strukturës vertikale ose tepër të përqendruar të pushtetit në Rusi. Por disa analistë thonë se zoti Putin mund ta ekspozojë elitën drejtuese të vendit ndaj një farë decentralizimi. Lilya Shevtsova, e Qendrës Karnegi të Moskës bëri këto komente në Institutin Hadsën.

"Ai po krijon mekanizmin horizontal, ku të gjitha grupet, të gjitha institucionet të balancojnë njëri-tjetrin: Duma të balancohet me Këshillin e Federatës, Medvedevi me Sergei Ivanovin e kështu me të gjithë përfaqësuesit e strukturave të pushtetit."

Por, paralajmëron Shevtsova, ky lloj balancimi mund të ketë pasoja pas zgjedhjeve, duke çuar në një regjim më të ashpër dhe më autoritar.

Masat e fundit të Kremlinit kundër medias së pavarur dhe partive politike si dhe kundër organizatave joqeveritare shihen jashtë vendit si lëvizje drejt autoritarizmit. Ish këshilltari i sigurimit kombëtar amerikan Zbigniew Brzezinski thotë se kjo e shqetëson thellë dhe paralajmëron se zgjedhjet presidenciale ruse ka shumë të ngjarë të manipulohen nga shteti.

"Më vjen keq ta them por mendoj se në një farë mase ky është një hap drejt institucionalizimitg të demokracisë. Procesi do të kërkojë kohë. Por nëse zoti Putin nuk kandidon përsëri, kjo në vetvete do të ishte një hap përpara. Kjo duhet pranuar, edhe nëse procesi i zgjedhjes së pasardhësit të tij nuk është përgjithësisht demokratik."

Zgjedhjet presidenciale në Rusi janë caktuar për më 9 mars 2008 ndërsa kalimi aktual i pushtetit do të bëhet dy muaj pas kësaj date. //ze//

XS
SM
MD
LG