Lidhje

NATO-ja: Nuk ka prova që Manastiri i Deçanit të ishte në shënjestër


Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë thanë sonte në një komunikatë për shtyp se njësitë e KFOR-it kishin dëgjuar natën e kaluar një shpërthim në afërsi të manastirit të Deçanit, por theksuan se deri tani, “nuk ka dëshmi se një paisje shpërthyese kishte në shënjestër manastirin e Deçanit”.

KFOR-i tha se njësitë italiane të KFOR-it kishin shkuar menjëherë në vendin e shpërthimit për të hetuar gjendjen. Paqeruajtësit thanë se Shërbimi Policor i Kosovës dhe KFOR-i po hetojnë për të identifikuar vendin e shpërthimit të mundshëm, siç u shprehën ata.

Shërbimi informativ i kishës ortodokse serbe në Kosovë citoi sot në një njoftim të tij priftërinjtë e manastirit që besojnë se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë. Ky shërbim citoi gjithashtu igumenin e manastirit peshkopin Teodosije të ketë thënë se sulmuesit ndoshta “dëshironin ti frikësonin dhe tu dërgonin mesazhe edhe atyre, edhe paqeruajtësve të NATO-s, në këtë moment politik thelbësor për Kosovën.

Policia e Kosovës tha në një njoftim të saj se deri tani nuk ka informacione se ku mund te jete vendi i shpërthimit.

Qeveria e Kosovës dënoi ndërkohë aktet e shpërthimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit në Kosovë, të cilat siç tha ajo, janë të drejtuara kundër qytetarëve të Kosovës dhe pronës së tyre.

“Këto akte janë sinjal me të cilin synohet që të nxitet pasiguria te qytetarët, si dhe të pengohet procesi i ndërtimit të një shoqërie paqësore dhe demokratike në Kosovë”, tha qeveria e kryeministrit Agim Çeku, duke i quajtur akte të tilla të papranueshme.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e quajti shpërthimin pranë manastirit të Deçanit një akt të ulët, qyqar, neveritës dhe rrugaçërie, që siç tha ajo, ka për qëllim zbehjen e imazhit të Kosovës dhe veçanërisht të rajonit të Deçanit. AAK tha se shpërthimi, “nga kushdo që të jetë bërë, ka qenë përpjekje për zbehjen e imazhit të Kosovës tash në prag të bërjes së shtetit sovran e të pavarur dhe të diskutimit në qarqet më të larta ndërkombëtare të propozimit të zotit Ahtisari për stausin final të Kosovës”.

AAK u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës dhe të gjitha komuniteteve, “që të ruajnë gjakftohtësinë, të kenë besim në institucionet dhe lidershipin e vendit dhe në angazhimet e tyre për bërjen e shtetit sovran e të pavarur të Kosovës, si vend i lirë e sigurt për të gjithë qytetarët e saj”. //ze//

XS
SM
MD
LG