Lidhje

Grupi i Kontaktit dënon ashpër shpërthimin në zonën pranë manastirit të Deçanit


Grupi i Kontaktit dënoi ashpër mbrëmë shpërthimin në zonën pranë manastirit të Deçanit, duke theksuar se akte të tilla të dhunës kundër komunitetit serb ose Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë janë të palejueshme. Grupi i Kontaktit nënvizoi se sigurimi i plotë i komunitetit serb në Kosovë është i rendësisë së veçantë, dhe çdo incident ose dhunë, duhet të trajtohet menjëherë dhe të zgjidhet nga autoritetet e Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Një grup ekspertësh po heton ngjarjen.

Grupi i Kontaktit reagoi mbrëmë lidhur me shpërthimin në rrethinën e Manastirit të Deçanit në orët e hershme të mëngjesit të datës 30 Mars, ku është gjetur njëminahedhës në bregun përmbi manastirin, si dhe është gjetur një copë e predhës e cila e kishte goditur pjesën e murit të jashtëm të manastirit.

Grupi i Kontaktit theksoi se ky manastir është një ndër vendet më të rëndësishme të fesë dhe kulturës serbe në Kosovë. “Ndërkohë që është duke u zhvilluar hetimi intensiv për incidentin, Grupi i Kontaktit thekson në mënyrën më të ashpër të mundshme se akte të tilla të dhunës kundër komunitetit serb ose Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë janë të palejueshme dhe të patolerueshme”, theksoi Grupi i Kontaktit.

Grupi i Kontaktit nënvizoi gjithashtu se sigurimi i plotë i komunitetit serb në Kosovë është i rendësisë së veçantë dhe çdo incident ose dhunë duhet të trajtohet menjëherë dhe të zgjidhet nga ana e autoriteteve të Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Grupi i Kontaktit shprehu përkrahjen e tij të madhe për komunitetin e priftërinjve në Deçan dhe vendosmërinë e tij të vazhdueshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë thanë mbrëmë se kanë krijuar një grup ekspertësh për të hetuar më tej incidentin e shpërthimit pranë manastirit të Deçanit. KFOR-i tha se ishte gjetur një armë anti-tank 400 metra në veri-lindje të manastirit dhe pjesë të

municionit të përdorur praën murit të manastirit. KFOR-i tha gjithashtu se një pjesë e anës së sipërme të murit përreth manastirit është dëmtuar.

Paqeruajtësit e NATO-s thanë se hetimi për këtë incident po vazhdon në bashkëpunim me shërbimin policor të Kosovës dhe policinë e UNMIK-ut dhe se ai do të jetë një operacion i udhëhequr nga policia.

Komandanti i paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë, gjenerali Roland Kather, ka thënë se KFOR-i e merr këtë incident shumë seriozisht dhe se ka rritur masat e sigurisë menjëherë pas incidentit. Gjenerali Kather ka theksuar se akte të tilla nuk do të tolerohen, pavarësisht se kush është përgjegjës.

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Joakim Rucker, ka shprehur gjithashtu mbrëmë shqetësimin e tij për atë që sic thuhet në njoftimin e zyrës së tij të shtypit, “duket se ka qenë një sulm I drejtuar ndaj manastirit të Deçanit”. Zoti Rucker thekson se dhuna, vecanërisht e drejtuar ndaj komuniteteve pakicë, është e patolerueshme dhe e palejueshme dhe nuk ka vend në Kosovë.

“Manastiri I Deçanit është një vend me rëndësi të jashtëzakonshme shpirtërore për komunitetin serb të Kosovës dhe një thesar për popullin e Kosovës dhe më tej. Pres rezultate të shpejta nga hetimi që është në vazhdim e sipër”, ka theksuar kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës.//ii

XS
SM
MD
LG