Lidhje

KQZ kërkon nisjen sa më shpejt të reformës zgjedhore


Kryetari i KQZ-së Çlirim Gjata u kërkoi sot partive politike që të fillojnë sa më parë dhë zyrtarisht bashkëpunimin për reformën zgjedhore. Ai tha sot gjatë një konference shtypi se deri tani partitë kanë lëshuar vetëm deklarata mediatike për një reformë mëse të nevojshme. "Sa më shpejt të fillojë zyrtarisht, jo me deklarata mediatike, puna për reformën zgjedhore aq më mirë do të ishte. Sepse kështu do të kishin kohën e duhur të përgatiteshin, përfshi edhe KQZ" - thotë ai.

Zoti Gjata tha se KQZ është e gatshme të ofrojë gjithë përvojën e vet në hartimin e ndryshimeve të reja ligjore gjatë reformës. Ai theksoi faktin se KQZ nuk thirret asnjëherë për të dhënë propozimet e veta gjatë reformës zgjedhore. "Presim që edhe KQZ të ftohet për herë të parë në këto bisedime për reformën zgjedhore, thjesht për problemet teknike, pa ndërhyrë në cëshjtet politike që i zgjidhin vetë parlamentarët" - thotë ai.

Zoti Gjata tha se partitë politike janë të plotfuqishme gjatë procesit zgjedhor, dhe kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme forcat politike duhet të zhvishen nga këto angazhime që lidhen drejtpërdrejt me procesin e votimit. "Partitë politike duhet të lirojnë procesin nga "zinxhirët e tyre", në kuptimin që të lirojnë komisionet poshtë. Nëse arrijmë që të krijojmë një besim mes palëve që edhe pa patur 14 vetë atje poshtë, një ushtri me komisionerë - militantë që kanë në dorë procesin zgjedhor - mund të realizohen zgjedhjet, kjo do të ishte arritja më e madhe në reformën zgjedhore. Nevojitet të hiqet dorë nga koncepti që partitë politike duhet të kenë në dorë të shtrënguar shumë fort procesin zgjedhor" - thotë ai.

Kryetari i KQZ, Gjata thotë se reforma zgjedhore është e domosdoshme pasi, sipas tij, Shqipëria ka një nga proceset më të komplikuara zgjedhore jo vetëm në rajon, por dhe më gjerë, një proces të mundimshëm për qytetarin dhe për të gjitha institucionet që kanë lidhje me zgjedhjet. //rd//

XS
SM
MD
LG