Lidhje

Presidenti o Kosovës, Fatmir Sejdiu niset për në Nju Jork


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, u nis sot për në New York për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 3 prill, ku do të paraqitet zyrtarisht propozimi i krye negociatorit për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari, i cili ka propozuar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Presidenti Sejdiu, para nisjes nga aeroporti i Prishtinës, theksoi rëndësinë e madhe të mbështetjes ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës. “Për ne është shumë me rëndësi që kemi një rast jashtëzakonisht të mirë që të shtrojmë edhe një herë gjithë qasjen tonë, t’i përshëndesim dhe falënderojmë të gjithë anëtarët e KS-së që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për mbarëvajtjen e këtij procesi, posaçërisht presidentin Ahtisaari dhe ekipin e tij”, tha ai.

Presidenti Sejdiu shprehu bindjen se prilli dhe maji do të jenë muaj shumë të ngjeshur me veprimtari politike për Kosovën. “Unë besoj se procesi rreth statusit do të zgjidhet shumë shpejtë, nuk mund të them datë apo muaj të saktë, për ne është me rëndësi ajo që kam thënë dhe nuk heq dorë se këta dy muaj, prilli dhe maji do të jenë shumë të ngjeshur dhe me punë të madhe. Ky proces është në rrugë të mbarë dhe ajo mbështetje që e kemi thënë dhe që është deklaruar nga vendet kryesore të politikës ndërkombëtare është shumë e rëndësishme për ne”, tha ai.

Fillimi i debateve për propozimin e zotit Ahtisaari shihet si fillim i periudhës përfundimtare të zgjidhjes së statusit të Kosovës, një proces që nuk duket aspak i lehtë për shkak të qëndrimit te deritashëm të federatës ruse kundruall çështjes së Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG