Lidhje

Kancelarja gjermane takohet me udhëheqës izraelitë dhe palestinezë


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u takua të djelën me udhëheqës izraelitë dhe palestinezë në kuadër të një përpjekje ndërkombëtare të fundit për gjallërimin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Gjemania dhe Izraeli kanë marrëdhënie të ngrohta, por zonja Merkel e ka mbajtur afër edhe Autoritetin Palestinez.

Kancelarja Merkel po përpiqet të shfrytëzojë energjinë diplomatike të momentit që ka shtuar shpresat për vënien edhe një herë të procesit të paqes në rrugë të mbarë. Javën e kaluar, udhëheqës të vendeve arabe ripërtërinë një nismë për paqe, e cila i ofron Izrelit marrëdhënie të plota diplomatike me të gjitha shtetet arabe me kusht që Izreli të kthehet brenda kufijve të vitit 1967.

Zonja Merkel është presidente e radhës e Bashkimit Evropian, i cili përbën një nga aktorët kryesorë në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Zoti Olmert tha se miqësia e fortë ndërmjet Izraelit dhe Gjermanisë do të bëjë të mundur që këta dy vende të punojnë së bashku për paqe.

Zonja Merkel tha se Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë të angazhuar ndaj sigurimit të Izraelit.

Ajo tha se Evropa do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar Izraelin dhe palestinezët që t’i kthehen tryezës së bisedimeve.

Zonja Merkel shkoi gjithashtu në Ramallah të Bregut Perëndimor për bisedime me presidentin palestinez, Mahmud Abaz.

Presidenti Abaz i bëri thirrje Izraelit të pranojë nismën arabe për paqe dhe të ndërmarrë hapa konstruktive për përparimin e kësaj nisme.

Kancelarja Merkel duke theksuar anën komplekse të çështjes, nuk pranoi të takohet ministrat e kabinetit palestinez të grupit ekstremist Hamas. Edhe pse Hamas krijoi muajin e kaluar një qeveri të unitetit kombëtar me politikanë të moderuar si zoti Abaz, ky grup vazhdon të mos pranojë kërkesat ndërkombëtare për të hequr dorë nga dhuna dhe njohur Izraelin.

Zonja Merkel tha se derisa Hamasi të plotësojë këto kërkesa, nuk mund të jetë partner në procesin e paqes. //az//

XS
SM
MD
LG