Lidhje

Teherani: Marinarët britanikë pranuan se ishin ne territorin iranian


Teherani njoftoi se të 15 marinarët e kapur britanikë kanë pranuar se kanë hyrë ilegalisht në ujrat territoriale të Iranit. Shtypi iranian njoftoi sot se nuk do t’i transmetojë pohimet e tyre, për shkak të asaj që e cilësoi si, “një ndryshim pozitiv i qëndrimit britanik”, por pa dhënë hollësi të tjera.

Një zëdhënës i Kryeministrit Toni Bler tha sot se kërkesa për lirimin e tyre pa kushte nuk ka ndryshuar, duke shtuar se imazhet e inskenuara televizive nuk do ta bëjnë Londrën të ndryshojë qëndrim. Megjithatë zëdhënësi tha se "po bëhen përpjekje të shumta jashtë syve të publikut", për të zgjidhur krizën.

Dje, stacioni televiziv Al-Alam i kontrolluar nga qeveria, paraqiti dy marinarë britanikë duke treguar në një hartë të Gjirit Persik dhe duke thënë se 15 marinarët kishin hyrë në ujrat territoriale të Iranit. Britania këmbëngul që marinarët ishin në ujrat territorialë të Irakut kur u kapën nga forcat iraniane më 23 mars.

XS
SM
MD
LG