Lidhje

Shefer: Vendimi per Kosoven të merret pa ngutje dhe pa vonesa

  • Linda Karadaku-Ndou
  • Prishtinë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, beson se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës, i cili tani është në duart e Këshillit të Sigurimit, duhet të bëhet pa ngutje dhe pa vonesa të panevojshme. Zoti Shefer i cili i bëri këto komente sot në Prishtinë, tha se ka vetëm një recetë politike për rajonin, për të qenë i qëndrueshëm dhe i sigurtë, dhe kjo është anëtarësia në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, shprehu sot në Prishtinë besimin se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të dalë me një përfundim të drejtë për Kosovën. Zoti Shefer tha gjithashtu se procesi do të duhet të zhvillohet pa ngutje dhe pa vonesa të panevojshme, dhe theksoi se dhuna nuk është element i zgjidhjes.

“KFOR- është i përgatitur për çdo rast. Kjo mendoj se është përgjigja për pyetjen tuaj, dhe e them dhe e përsëris përsëri, se njerëzit që po përpiqen apo që do të përpiqen të krijonë një rrezik sigurie e kanë gabim dhe KFOR-i është atje, natyrisht me preferencën jo për të vepruar, por është gjithashtu atje për të vepruar nëse është e nevojshme”, tha zoti Shefer.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, theksoi se e vetmja recetë stabiliteti për rajonin është NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.

“Ka vetëm një recetë politike për këtë rajon, që të jetë i qëndrueshëm dhe i sigurtë, dhe kjo është anëtarësia në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Nuk mund të flas për Bashkimin Evropian, mund të flas për NATO-n dhe mund t'u them se vendimi i NATO-s në takimin e Rigës nëntorin e kaluar për të pasur Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi në Partneritetin për Paqe, e konsideroj si një bllok shumë të rëndësishëm ndërtues. Kisha një diskutim të gjatë vetëm pak javë më parë në Beograd me presidentin serb Tadiçpër këtë. Mendoj se ai dhe unë ishim dakord”- tha Shefer.

Zoti Shefer theksoi se rezultati i procesit të statusit të Kosovës është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me anëtarësinë e vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO, zoti Shefer theksoi se këto vende, duhet të vazhdojnë reformat.

“Ato vende që po trokasin në derën e NATO-s, duhet të vazhdojnë me procesin e tyre të reformave”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm I NATO-s.

Zoti Shefer është takuar sot në Prishtinë me Kryeadministratorin ndërkombëtar të Kosovës, Joakim Ryker dhe Komandantin e Paqeruajtësve të NATO-s, gjeneralin Roland Kather, me grupin negociator të Kosovës dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Ai vazhdon vizitën në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshi edhe vizitën në pjesën veriore të saj, të banuar me shumicë serbe.//lk

XS
SM
MD
LG