Lidhje

Mustafaj: Rusia do të sillet si një vend i përgjegjshëm për fatet e rajonit

  • Intervistoi: Ikonomi

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj, i cili ndodhet në Nju Jork për të paraqitur argumentet e qeverisë së tij në favor të planit Ahtisari për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës, i tha Zërit të Amerikës se ka besim që Rusia në fund të fundit do të sillet si një vend i përgjegjshëm për fatet e rajonit të Ballkanit. Zoti Mustafaj po takohet me ambasadorët e vendeve të Këshillit të Sigurimit dhe me personalitete të tjera ndërkombëtare në prag të fillimit të diskutimit për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, ju keni ardhur në Nju Jork për të paraqitur argumentet e qeverisë shqiptare në favor të pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën. Cilat shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit janë objekt i veçantë i” lobingut” tuaj, nëse mund ta quajmë kështu?

Besnik Mustafaj: Mund të ndahen në tre kategori: të parat janë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, ku ka nuanca. Dihet se Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca janë në mbështetje pa rezerva të raportit Ahtisari, përfshirë edhe propozimin për zgjidhjen e statusit final që është pavarësia e mbikqyrur. Vijnë pastaj Kina dhe Rusia që janë të dyja jo në të njëjtin qendrim. Kategoria tjetër janë anëtarët jo të përhershëm, pra anëtarët e përkohshëm të Këshillit të Sigurimit, të cilët janë dy llojesh: është një pjesë që e kupton rëndësinë e problemit që mund të pasojë nga moszgjidhja tani dhe janë disa të tjerë të cilët nuk mund ta kuptojnë, si vende të Afrikës apo të Amerikës Latine dhe të Azisë, sepse problemet e tyre kombëtare dhe rajonale bëjnë që ato të jenë larg këtij lloj shqetësimi në Evropë siç është Kosova. Prandaj, këto vende kanë nevojë në mënyrën më të sinqertë për shpjegim.

Zëri i Amerikës: Sa mund të ndikojë diplomacia e Shqipërisë për të realizuar objektivin e saj, kur duket se çështja e statusit të Kosovës është kthyer në një çështje debati mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër?

Besnik Mustafaj: Një nga argumentet që nxjerr Rusia dhe që është formuluar në Serbi, është perspektiva e krijimit të një Shqipërie të madhe pas pavarësisë së Kosovës. Prandaj, është shumë e rëndësishme që unë, si përfaqësues i shtetit shqiptar, me cilësinë e ministrit të jashtëm të qeverisë shqiptare, t’i jap garanci faktorit ndërkombëtar në të gjitha nivelet se kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës është një kufi i pandryshueshëm – pra nuk ka asnjë prapamendim në mbështetjen që ne i japim pavarësisë së Kosovës, nuk ka asnjë prapamendim për një bashkim të mundshëm të Kosovës me Shqipërinë. Ky është një argument që kur artikulohet nga Shqipëria ka peshën e tij sepse angazhimi nga ana ime është një angazhim shumë serioz pasi unë angazhohem në emër të qeverisë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, cili është sipas jush thelbi i pozicionit që ka marrë Rusia, kemi të bëjmë me një bllof nga ana e saj apo me shqetësime legjitime të Moskës që ndoshta kanë lidhje me dëshirën e saj për një rol më efikas në planin gjeostrategjik?

Besnik Mustafaj: Gjatë vitit të kaluar jam takuar katër herë me ministrin e jashtëm të Rusisë Sergej Lavrov – kam shkuar dy herë Moskë, jam takuar një herë në Nju Jork dhe një herë në Bruksel. Mund të them me kënaqësi se kam patur një dialog shumë të hapur, shumë profesional madje me tone miqësore për problemin e Kosovës. Shpreh bindjen time të plotë se Rusia është një vend shumë i përgjegjshëm, një vend që po luan një rol në stabilitetin dhe në paqen botërore. Ky është një rol që i takon ta luajë dhe po e luan në partneritet gjithnjë e më të madh me pjesën tjetër të botës demokratike. Në këtë rast, Rusia pavarësisht debatit që bën në këtë periudhë, debat që buron edhe nga probleme të ngjashme që ka në republika ish-sovjetike tashmë të pavarura, edhe nga një lidhje tradicionale midis Serbisë dhe Rusisë, përsëri në momentin e fundit ajo do të sillet si një shtet i përgjegjshëm për fatin e rajonit dhe jo për fatin e një vendi të caktuar. Pavarësia e Kosovës, në formulën e propozuar nga Presidenti Ahtisari është një kompromis që prodhon stabilitet dhe prosperitet për të gjithë rajonin.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, çfarë hapësira të tjera të paeksploruara shikoni ju si diplomat për të bindur Rusinë që ta pranojë planin Ahtisari. A është një hapësirë e tillë për shembull, ideja e hedhur për një mision të mundshëm vlerësimi të vendeve të Këshillit të Sigurimit në Kosovë, ide të cilën e keni mbështetur edhe ju?

Besnik Mustafaj: Unë u shpreha me disa nga përfaqësuesit e lartë të vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, pra me disa nga ambasadorët, se në vetvete nuk mendoj se është një mision i dëmshëm, me kusht që ky të mos jetë një mision faktmbledhës sepse do të vinte në dyshim raportet e mëparshme të UNMIK-ut. Ky mund të ishte një mision informativ që vendet të cilat kanë informacion të pamjaftueshëm për realitetin në Kosovë, për problematikën, për historinë dhe për aktualitetin e Kosovës, mund të shkonin disa ditë, të shihnin dhe të verifikonin disa gjëra. Pra, si mision informativ unë jam shprehur se nuk shoh ndonjë të keqe.

Zëri i Amerikës: Megjithëse në vështrimin afatshkurtër, siç e përmendët edhe ju, ideja e një bashkimi midis Shqipërisë dhe një shteti të ri të Kosovës do të ishte e parealizueshme, a mendoni se dy shtete shqiptare, me kaq shumë lidhje do të qendronin gjatë të ndarë njëri nga tjetri. Cili është vizioni juaj për të ardhmen?

Besnik Mustafaj: Analiza ime, jo sot por në vazhdimësi gjatë gjithë këtyre 14 muajve të negociatave për statusin final të Kosovës ka qenë se Kosova do të jetë një shtet multietnik. Ajo nuk do të jetë një shtet mirëfilltë shqiptar por një shtet i të gjithë kosovarëve: shqiptarë, serbë, turq, romë, pra i të gjithëve. Duke qenë një shtet multietnik, ai ka një bazë themeluese të ndryshme nga gjuha e shumicës dhe në teorinë moderne të ndërtimit të shtetit gjuha është një element i pamjaftueshëm për të krijuar një shtet. Pra, ajo tezë e hedhur së pari nga ministri i jashtëm serb, Vuk Drashkoviç se po na krijohen dy shtete shqiptare të cilat mund të bëhen të rrezikshme, është në fakt një tezë e përdorur si një shantazh për të penguar pavarësimin e Kosovës.//lk

XS
SM
MD
LG