Lidhje

Shkencëtarët britanikë përftojnë inde të zemrës në laborator


Shkencëtarët britanikë, për herë të parë, arritën të përftojnë në laborator, inde të zemrës nga qelizat embrionale. Ky zbulim mund të shërbejë një ditë për t’u ardhur në ndihmë pacientëve që janë në pritje të transplantimit të zemrës.

Kardiokirurgu i njohur Magdi Jakub ka kryesuar ekipin e mjekëve, biologëve, inxhinierëve dhe specialistëve të tjerë që kanë punuar gjatë 10 vjetëve të fundit për përftimin në laborator të indeve të zemrës. Gazeta britanike “The Guardian”, që e njoftoi të hënën këtë zbulim, shkruante se indi i përftuar është i njëjtë me atë të një valvole të zemrës së njerëzve.

Në se ky zbulim do të provohet i sukseshshëm në eksperimentimin tek kafshët, specialistët thonë se indi i krijuar në laborator, do të mund të përdoret në operacionet për zëvendësimin e valvolave të zemrës, në 3 deri 5 vjet.

Doktor Jakub, i cili është profesor i kardiologjisë në Kolegjin Perandorak të Londrës, thotë se përftimi në laborator i një zemre të plotë nga qelizat embrionale, “është një projekt ambicioz, por jo i pamundur”. Ai tha në një intervistë për gazetën se një arritje e tillë do të mund të jetë e mundur ndoshta brenda 10 vjetësh.//lk

XS
SM
MD
LG