Lidhje

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mbështet planin Ahtisari


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon përsëriti se ai mbështet plotësisht rekomandimet e bëra nga i dërguari i tij i posaçëm Marti Ahtisari për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Në komentet e bëra dje për gazetarët, zoti Ban nuk dha hollësi të tjera por mbrëmë ai bisedoi në zyrën e tij për çështjen e statusit edhe me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Besnik Mustafaj, i cili ndodhet në Nju Jork për takime me diplomatë nga vende të Këshillit të Sigurimit, të cilëve po u parashtron argumentet e vendit të tij në favor të planit Ahtisari.

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki Moon, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë bëri këtë deklaratë për Zërin e Amerikës: “ Është shumë e rëndësishme që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara zoti Ban Ki-moon përshëndet dhe mbështet plotësisht rekomandimet e presidentit Ahtisaari, pra mbështet raportin e tij dhe rekomandimet e tij. Ju e dini se në rekomandimet e tij thuhet se një pavarësi e mbikëqyrur është opsioni më i qëndrushëm për të ardhmen e Kosovës. Për mua kjo ka shumë rëndësi sepse faktori kryesor ndërkombëtar, siç është Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara mbështet pavarësinë e Kosovës”, tha Ministri i Jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj. //rd//

XS
SM
MD
LG