Lidhje

Këshilli i Sigurimit dëgjon kryenegociatorin Ahtisari


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dëgjoi të martën mbrëma prapa dyerve të mbyllura kryenegociatorin për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, gjë që shënoi fillimin e konsultimeve të shumëpritura për këtë çështje. Por diskutimet mund të mos jenë të lehta.

Shenjë për këtë ishte fakti që diplomatët, kryesisht për shkak të kundërshtimeve të Rusisë, me vështirësi arritën një kompromis për formatin e bisedimeve: Në takimin e Këshillit të Sigurimit për Serbinë foli kryeministri Vojisllav Koshtunica, ndërsa për Prishtinën, në vend të Presidentit Sejdiu foli kreadministratori i UNMIK-ut, Joakim Ryker.

Diplomatët thanë për gazetarët se diskutimet për statusin e Kosovës do të kërkojnë ndoshta disa javë.

Ambasadori i Francës, Zhan Mark dëla Sabljerë tha se propozimi Ahtisari është ndoshta më i miri që mund të ishte bërë për stabilitetin e rajonit. “Jam i bindur se më në fund të gjithë do të shprehen dakord, duke përfshirë Rusinë. Brenda Këshillit të Sigurimit ka një gatishmëri për ta kuptuar mirë situatën dhe ka gjithashtu një preokupim për të punuar në favor të stabilitetit. Sepse bëhet fjalë për stabilitetin e Evropës dhe ky është përfundimi i procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Është një situatë shumë e veçantë që nuk mund të merret si precedent”.

Diplomatët që e mbështesin propozimin e Ahtisarit, thonë se ruajtja e statuskuosë është diçka me rrezik dhe përcaktimi i statusit nuk duhet të shtyhet.

Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried, paralajmëroi të hënën në Berlin për mundësinë e kaosit dhe të dhunës në Kosovë, nëse propozimi i Ahtisarit nuk pranohet nga Këshilli i Sigurimit. Rusia ka propozuar dërgimin e një misioni të Këshillit të Sigurimit në Prishtinë dhe në Beograd për të vlerësuar gjendjen. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Shon MekKormak tha të martën se propozimi po shqyrtohet me seriozitet. “Ky është një propozim i paraqitur nga pala ruse dhe duket se për ta është i rendësishëm. Pra, në këtë kuadër, propozimi po shihet me seriozitet, se si të realizohet kjo dëshirë e tyre për një mision fakt-mbledhës, çfarë mandate do të kishte një mission i tillë dhe çfarë afatesh kohore do të kishte ai?”

Mes diplomatëve në Këshillin e Sigurimit ka përgjithësisht konsensus për një mision të tillë por dallimet janë tek karakteri që do të kishte ai.

Ambasadori Dëla Sabljerë tha se ky duhet të jetë një mision informativ, i cili t’u shërbejë anëtarëve të Këshillit të informohen më mirë dhe të jetë i shkurtër në kohë.

Në komentet e bëra para se të fillonte mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Sigurimit, ambasadori i Rusisë Vitali Churkin tha se tani është koha të reflektojmë se ku kemi arritur dhe se si do të reagojnë palët ndaj planit Ahtisari. “Për mendimin tonë është shumë e rëndësishme të bëhet çdo gjë që ka në dorë të bëjë Këshilli i Sigurimit për të garantuar se më në fund, të dyja palët do të bien dakord me zgjidhjen”.

Rusia, e cila ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, nuk ka deklaruar hapur se do ta përdorë veton dhe është treguar e kujdesshme që të mos e hedhë poshtë plotësisht planin e zotit Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur. Por ajo ka kërkuar bisedime të mëtejshme për të arritur një zgjidhje të pranueshme si për Prishtinën edhe për Beogradin. Kryenegociatori Ahtisari beson se mundësia për bisedime të tjera është shterruar.

Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, tha se propozimi shekl integritetin territorial të vendit të tij dhe u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të zevëndësojnë zotin Ahtisaari dhe të rifillojnë negociatat. “Kemi nevojë për një fillim të ri. Serbia ka mbështetur nismën e marrë nga Federata Ruse për Këshillin e Sigurimit për të dërguar në Beograd e Prishtinë një mision për mbledhje faktesh për të hetuar se qendrojnë punët. Një kompromis duhet të marrë në konsideratë, para së gjithash, këtë parim themelor të Kartës së OKB-së, që është integriteti territorial dhe sovraniteti i shteteve ekzistuese dhe pastaj të kërkojë zgjidhje brenda kësaj kornize ligjore. Zgjidhja pa dyshim është autonomi të gjerë, niveli më i lartë i mundshëm për Kosovën, e cila do t’i jepte asaj mundësinë për të zhvilluar të ardhmen e saj, por pa shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe pa sjellë një precendent tepër të rrezikshëm në botë. Ky është propozimi ynë”.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se synimi i Kosovës është që të sigurojë pranimin e propozimit të zotit Ahtisari sa më shpejt. “Për ne është tepër e rëndësishme sa i përket këtij procesi për të ecur para sa më shpejt dhe me sa më me efikasitet. Duhet të them se kemi patur 14-15 muaj negociata dhe diskutime intensive dhe i kemi shterruar të gjitha mundësitë e një marrëveshjeje përmes negociatash. Kosovarët po presin dhe kanë të drejtën të kenë një prespektivë të qartë. Kështu që, çdo vonesë, çdo shtyerje e procesit do të jetë krejtësisht anti-produktive”.

Disa vende-anëtare të Këshillit të Sigurimit po kërkojnë që të merret vendim deri nga fundi i muajit, duke druajtur se vonesat mund të çojnë në tensione të tjera e dhunë në rajon. //az//

XS
SM
MD
LG