Lidhje

Tiranë: NDI amerikan mbështet kriteret për Presidentin e ri të vendit


Instituti Kombëtar Demokratik Amerikan mbështeti sot përpjekjet e organizatave joqeveritare në Shqipëri për të nxitur një marrëveshje mes forcave kryesore politike mbi disa kritere që duhet të plotësojnë kandidatët e tyre për president.

Drejtori i Institutit Demokratik Amerikan, Shaun Mc.Nally deklaroi se zëri i shoqërisë dhe qytetarëve shqiptarë duhet të dëgjohet kur ata kërkojnë cilësitë që duhet të ketë sipas tyre presidenti i vendit. Zoti Mc.Nally i bëri këto komente duke krahasuar zgjedhjen e presidentit në ShBA dhe në Shqipëri gjatë një takimi të organizuar nga Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit. "Unë inkurajoj cdo qytetar shqiptar që të përfshihet në këtë proces dhe bëni që zëri juaj të dëgjohet, dhe të realizoni gjithë stadartet që ju kërkoni që të ketë presidenti juaj" - tha zoti McNally. Ai theksoi se megjithëqë në Shqipëri presidentin e zgjedh parlamenti, ky prapëseprapë është një proces që jep mundësinë të dëgjohet zëri i qytetarëve. "Zgjedhja e presidentit është një proces shumë i rëndësishëm. Ashtu si në Shqipëri edhe në SHBA kriteret e zgjedhjes së kandidatëve janë shumë të thjeshta. Votuesit amerikanë kërkojnë transparencë, përvojë pune dhe moskorruptim të kandidatit për president, dhe që ai të jetë udhëheqës i vërtetë. Votuersit amerikanë kërkojnë të gjejnë një president që do ta cojë vendin përpara në një drejtim sa më pozitiv, dhe kjo duhet të ndodhë edhe në Shqipëri" - tha drejtori i NDI, Mc.Nally.

Pak ditë më parë Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, një organizatë e njohur joqeveritare, u kërkoi forcave kryesore politike miratimin e disa kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për postin e presidentit të Republikës. ZMQ iu drejtua Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim me një letër, ku theksohet se nenet e Kushtetutës për moshën dhe vend-banimin janë të pamjaftueshme, dhe se kandidatëve për president duhet t'u jepet mundësia që të shpalosin aftësitë dhe pikëpamjet e veta për drejtimin e shtetit shqiptar. //rd//

XS
SM
MD
LG