Lidhje

Rezistenca ndaj antibiotikëve i bën ato më pak të efektshme


Penicilina dhe eritromicina janë shembuj antibiotikësh që dikur shërbenin si kura të mrekullueshme për sëmundjet e ndryshme. Por këto lloj ilaçesh dhe antibiotikë të tjerë janë tani më pak të efektshme, për shkak se bakteriet janë bërë më rezistente ndaj sëmundjeve.

Një studim i kryer në Belgjikë tregon se ka një lidhje mes përdorimit të antiobiotikëve dhe bakterieve që ndryshojnë vetitë, për t’i rezistuar trajtimit me antibiotik.

Studimi u bazua tek disa persona të shëndetshëm dhe në përdormin e dy antibiotikëve. Pas një kure të vetme, tek personat e përfshirë në studim, ndodhi një shtim i bakterieve në gojën e tyre, të cilat ishin rezistente ndaj ilaçit që kishin marrë.

Në disa raste, bakteria rezistente ndaj antibiotikut, qëndroi në gojën e tyre më shumë se 6 muaj. Studime të tjera tregojnë se përdorimi pa kriter i antibiotikëve po i bën ato më pak të efektshme. "Eshtë pikërisht përdorimi pa masë i antibiotikëve që e shkakton këtë problem,"- thotë mjeku Mark Lipsitch.

Një pjesë e problemit ka lidhje me vetë pacientët, të cilët nuk e çojnë deri në fund kurën me antibiotikë. "Kur më dhemb gryka dhe filloj antibiotikë, asnjëherë nuk e përfundoj kurën", - thonë pacientët. Kjo bën që bakteriet që mund të kenë mbetur gjallë të ndryshojnë vetitë, dhe të bëhen më rezistente ndaj antiobiotikut të marrë nga pacienti. Shkaktarë të këtij problemi janë edhe mjekët, të cilët e teprojnë dhënien e recetave për antibiotikë.

Një tjetër studim tregon se ekziston më tepër mundësia që spitalet që kontrollojnë përdorimin e antibiotikëve, të kontrollojnë më tepër edhe ata antibiotikë, për të cilët pacientët kanë krijuar rezistencë.

Mjekët shpesh u japin receta pacientëve për antibiotikë, para, ose pas operacionit, për të parandaluar infeksionin. Por disa mjekë japin receta për antibiotikë pa marrë më parë kulturën. Sipas këtij studimi, pikërisht këtu qëndron problemi. "Ne po krijojmë, pa e ditur, armët tona të shkatërrimit në masë. Kjo do të thotë, se ato mund të marrin jetë njerëzish, ngaqë ne nuk jemi në gjendje t’i kurojmë sëmundjet", thotë mjeku Stuart Levy.

Bakteriet rezistente mund të shkaktojnë sëmundje vdekjeprurëse dhe shumë komplikacione. Ekspertët belgë thonë se studimi i tyre duhet të shërbejë si një paralajmërim me rëndësi jetike për mjekët që japin antibiotikë pa kriter, gjë që mund të ketë pasoja të rënda te pacientët.

XS
SM
MD
LG