Lidhje

Gjigandi gjerman i çelikut, Tisen Krup, hyn në Amerikë

  • Nga Ot

Në një kohë kur shumë uzina amerikane po zhvendosen jashtë vendit në kërkim të fuqisë së lirë punëtore dhe të kodeve më pak të ashpra ambjentaliste, një kompani gjigande gjermane çeliku, Tisen Krup, po hyn në Amerikë. Ajo ka në plan të ngrejë uzinën më të madhe të çelikut që është parë në Shtetet e Bashkuara prej dy dekadash. Kompania thotë se pret të zgjedhë mes dy qytetesh: Mobile i shtetit Alabama dhe një tjetër pranë Nju Orlinsit të shtetit Luiziana. Siç njofton korrespondentja jonë Tania Ott, të dy këta shtete kanë ofruar stimuj me vlerë prej më shumë se 1 miliard dollarësh për ta tërhequr gjigandin gjerman të çelikut.

Luisiana dhe Alabama po bëjnë çmos për të tërhequr Tisen Krupin gjerman dhe kanë arësye. Një numër prodhuesish të huaj makinash janë dyndur në rajonin amerikan të Gjirit të Meksikos ku po ndërtojnë -- si kjo uzinë e firmës Hundai në Montgomeri të shtetit Alabama.

Kompania gjermane e çelikut, Tisen Krup synon të jetë aty pranë kështu që ajo ka në plan të ndërtojë një uzinë çeliku që do të punësojë rreth 3 mijë punëtorë. Është një prej marrëveshjeve më të mëdha ekonomike të dekadës.

"Kur është fjala për një projekt prej 3 miliardë dollarësh, kjo pa dyshim që do të ishte diçka mjaft me rëndësi për cilindo shtet që do ta merrte kontratën për një uzinë të tillë çeliku, - thotë analistja politike Natali Davis e Kolegjit Jugor të Birmingamit.

Davis thotë se zyrtarët e Alabamës po bëjnë ç’është e mundur për ta joshur kompaninë gjermane. Si guvernatori i Alabamës Bob Riley ashtu edhe ajo e Luizianës, Kathlin Blanco kanë bërë vizita në Dyseldorf për të reklamuar planet e tyre para drejtuesve të Tisen Krupit.

"Luiziana është e aftë të konkurojë. Ne duam të konkurojmë, mund ta bëjmë kompaninë me fitim. Nëse ata u japin punë me paga të mira njerëzve tanë, jemi të sigurt se produktet e tyre do të jenë konkurruese në treg. Ne mund të krijojmë një mjedis të mirë biznesi për kompaninë gjemane,” thotë Blanko.

Blanko nuk le pa reklamuar as Lumin e madh Misisipi, i cili mund të lejojë me lehtësi lundrimin e anijeve të tonazhit të madh të kompanisë.

Luiziana ka gjithashtu rezerva parash apo letrash me vlerë që kapin më shumë se 5 miliard dollarë, para që i janë dhënë këtij shteti për t’u rimëkëmbur nga uragani Katrina dhe që mund të ndihmojnë Tisen Krupin të sistemohet.

Alabama ka më pak para për të ofruar – diçka më shumë se 1 miliard dollarë në varësi të miratimit nga votuesit. Por ky shtet ka diçka tjetër – atë që guvernatori Rajli e quan "duart e bashkuara të influencës”.

Gjashtë senatorë dhe guvernatorë të shteteve fqinj Florida dhe Misisipi kanë shprehur miratimin e tyre për Alabamën. Por pavarësisht se ku do të vendoset uzina, eksperti amerikan i industrisë së çelikut, Peter Morici thotë se beteja për të fituar kontratën po i çon në shifra astronomike paketat e stimujve që po i ofrohen Tisen Krupit.

"Nuk mund të mos shtrosh pyetjen: a mos po i shtrijmë këmbët më shumë se sa kemi jorganin? A mos po përdorim pa vend paratë e taksapaguesve për këta lloj stimujsh?"- thotë ai.

Profesor Morici i Universitetit të Merilendit mendon se taksapguesit në këtë rast po japin shumë më tepër se sa pritet të përfitojnë. Ai thotë se ata që do të përfitojnë realisht do të jenë miqtë e politikanëve.

"Dihet se ekzistojnë marrëdhënie të ngushta midis politikanëve të të dyja partive dhe lobeve të ndërtimit në të gjitha shtetet tona",- thotë Morici.

Ndërtimi i uzinës së Tisen Krupit mund të krijojë 29 mijë vende pune në ndërtim. Një grup tjetër që mund të përfitojë mjaft nga kontrata do të jenë avokatët, të cilët do të merren me procedurat e transferimit të letrave me vlerë që kapin miliarda dollarë dhe që do të përdoren për ndërtimin e uzinës.

Tisen Krupi pritet të vendosë në muajin maj se cilin shtet do të zgjedhë, Alabamën apo Luizianën. Shumë shtete të tjera të Amerikës po e ndjekin nga afër zhvillimin e ngjarjeve. Analisti Peter Morici thotë se kompania gjermane do të prodhojë aq shumë çelik në uzinën e re saqë ka mundësi t’i nxjerrë jashtë pune punëtorët e çelikut në kompanitë e tjera të vendit. Kjo, thotë analisti, do të ishte ana e errët e kësaj kontrate gjigande.//lk

XS
SM
MD
LG