Lidhje

Alkooli dhe të rinjtë


Një shkollë e mesme tipike amerikane është thuajse e papërballueshme për adoleshentët që kanë qenë pre e alkoholit dhe drogës dhe po përpiqen t’i shpëtojnë joshjes. Sean Maroney i Zërit tëAmerikës, ka kryer një vëzhgim në disa shkolla të veçanta që ndihmojnë adoleshentët që të mos krijojnë varësi ndaj përdorimit të drogave dhe të jenë esëll.

Karolin Burk është mjaft e emocionuar për mbrëmien e maturës. Ajo është në vitin e fundit të shkollës së mesme, por diplomimi nuk është aq i rëndësishëm sa data që ajo ka të shënuar në celularin e saj. "Kam 3 vjet, 1 muaj e 18 ditë që nuk kam vënë alkohol në gojë.” thotë Karolin. Prindërit e Karolinës e përshkruajnë atë si një fëmijë të lumtur por që u rrit parakohe. Kur ishte 12 vjeç, ajo tregon…. Unë nisja të tymosja mariuhanë çdo natë. Isha e dhunshme, vidhja, bëja seks. I kam bërë të gjitha këto budëllallëqe

E ëma e Karolinës, Cindy, shihte e pashpresë se si vajza e saj po dilte jashtë kontrollit. "Po më mbyste dhimbja dhe shqetësimi për atë çka ajo po bënte. Ku po shkonte me jetën e saj, si do dilte nga kjo gjendje? Si mund ta ktheja në normalitet, si mund ta ndryshoja këtë situatë? Isha e tmerruar”

Karolina provoi 2 herë klinikat rehabilituese, por kur ato nuk dhanë rezultat, prindërit e saj e çuan në shkollën Sobriety High, në shtetin verior të Minnesotës. Drejtori i kësaj shkolle Juddi Hanson thotë se kjo është një nga 8 shkollat në këtë shtet, të specializuara si strehëza mbrojteje për të shpëtuar të rinjtë nga droga. “Të rikthehesh në shkollë për një nxënës që ka dalë nga rehabilitimi, është sikurse kthimi i një alkoolisti në klub.” Sipas Keneth Moritsugu rasti i Karolinës nuk është i pazakontë. “ Që në moshë të hershme 8 apo 9 vjeç, fëmijët tanë përballen me probleme të tilla si droga apo alkooli, nëpërmjet mënyrave të ndryshme, ku përfshihet shtëpia dhe shkolla..”Ai thotë se shkolla është vendi më i preferuar ku nxënësit përdorin drogë, dhe një ndër shkaqet që kontribuojnë për vdekjen e të rinjve nën moshën 21 vjeç. "Çdo vit , më shumë se 5 mijë vetë, nën moshën 21 vjeç vdesin si pasojë e e përdorimit të alkoolit. Është sikur një universitet të mos kishte më asnjë student papritur e pakujtuar. Çdo vit.”

Shkolla si Sobriety High përdorin terapinë e grupit dhe një sistem nxitës që të mbajnë studentët larg përdorimit të drogës. Por disa kritikë thonë se është e vështirë, që të mbash përdoruesit, sidomos adoleshentët, të stabilizuar pa përdorur testet antidrogë. Paul Grehl, është këshilltar antidrogë. "Çfarë përdoruesit kurrë nuk harrojnë është që ata kanë mësuar si të bëhen mashtrues. Ata e dinë si funksionon kjo gjë, dhe shumë lehtë mund të shkasin përsëri kur e kanë të nevojshme të marrin drogë”. Karolina vazhdon t’i përjetojë problemet e jetës si ka bërë gjatë këtyre tre viteve, një muaji dhe 18 ditëve të fundit, duke u përpjekur çdo ditë të kapërcejë të kaluarën e drogës dhe alkoholit. //rd//

XS
SM
MD
LG