Lidhje

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi demokracinë në botë


Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin e pestë vjetor mbi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe demokracinë kudo në botë.

Raporti i Departamentit të Shtetit thotë se qeveria amerikane shpenzoi rreth 1,8 miliardë dollarë vitin a kaluar për të mbrojtur të drejtat e njeriut nëpër botë. Raporti thekson se përpjekjet më të mëdha për të kufizuar të drejtat e njeriut u shprehën te kufizimeve zyrtare ndaj organizatave joqeveritare.

Nën-sekretari i Departamentit të Shtetit, Beri Louenkron, thotë se Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura në mbështetjen për zgjedhje të lira dhe të drejta, qeveri transparente dhe shoqëri civile të forta me shtyp të pavarur. “Atje ku këta 3 elementë bazë të demokracisë janë të dobët, ne punojmë për t’i forcuar. Kur janë në rrezik ne punojmë për t’i mbrojtur dhe atje ku nuk ekzistojnë për shkak të shtypjes qeveritare, ne ndihmojmë ata që jetojnë në frikë, por që ëndërrojnë lirinë”, thotë zoti Louenkron.

Megjithatë ka ankesa për shkeljen e të drejtave të njeriut nga vetë Shtetet e Bashkuara. Grupet e të drejtave të njeriut dhe disa qeveri të huaja kritikojnë Shtetet e Bashkuara për trajtimin e të dyshuarve për veprimtari terroriste. Një pjesë e kritikave si brenda dhe jashtë vendit, përqëndrohen tek mbajtja e të dyshuarve për një kohë të gjatë pa u nxjerrë në gjyq dhe akuza për mënyra të ashpra të marrjes në pyetje.

Ish-presidenti demokrat, Xhimi Karter, tha këtë javë në Uashington, se zyrtarët amerikanë duhet të analizojnë imazhin e Amerikës në botë. “Ne ishim ata që ngrinim lart flamurin e të drejtave të njeriut. Shpresoj që në të ardhmen të rifitojmë pozitën e mëparëshme.” Beri Louenkron i Departamentit të Shtetit thotë se demokracia është rruga më efektive për të arritur ndryshime, pavarësisht nga vendi. “Kur kam folur për zhvillimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjithmonë kam theksuar se forcimi i demokracisë është rruga e pagabueshme.” Ai thotë se mekanizmat vetë-rregullues, si shtypi i lirë, legjislativi efektiv dhe gjykata të pavarura janë elementët kryesorë. Por Louenkron shton se ndryshimet konstruktive duhet të arrihen nëpërmjet përpjekjeve afatgjata që i përshtaten çdo vendi. //rd//

XS
SM
MD
LG