Lidhje

Klosi: Përplasjet në Partinë Socialiste pengesë në përmbushjen e platformës politike të opozitës


Në Shqipëri kërkesa e nje grupi deputetësh socialiste për të shtyrë kongresin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këtë parti ka provokuar një tension të ri të fortë. Por sot Sekretari i përgjithshëm Pandeli Majko i cili i është bashkuar kërkesës mohoi që kjo lëvizje të ketë lidhje me përpjekjet e ish kryetarit socialist Fatos Nano për të kërkuar nga opozita kandidimin e tij per president. Zoti Majko sqaroi se bëhet fjalë për një platformë ndryshe e cila duhet të votohet nga forumet. Ndërkaq, Sekretari i Partisë Socialiste për Marrëdhëniet me Publikun, Blendi Klosi, paralajmëron se këto lëvizje mund të rrezikojnë ambicjet politike të opozitës:

Zëri i Amerikës: Zoti Klosi si e vlerësoni lëvizjen e fundit të një grupi deputetësh dhe kërkesat e tyre lidhur me ndryshimet që i jane paraqitur Kngresit?

Klosi: Natyrisht, kërkesa që na erdhi nga një grup deputetësh, në një moment kur ne ishim të gjithë të gatshëm për të vazhduar Kongresin, për të vazhduar një punë që tashmë ka nisur në organizatat socialiste, në bazën socialiste, ka filluar në të gjithë Shqipërinë procesi zgjedhor brenda kësaj partie në mbështetje të statutit, dhe më shumë se sa kaq në mbështetje të të gjitha vendimeve që kanë marrë forumet socialiste, të gjithë ndjehemi të deziluzionuar nga kërkesa që vjen nga një grup deputetësh, nga një grup kolegësh tanë të cilët deri tashmë nuk kishin shprehur këto shqetësime. Mendoj që Kongresi i Partisë, dhe shpreh bindjen për këtë, delegatët e këtij Kongresi, por edhe të gjithë forumet e Partisë Socialiste, do të diskutojnë mbi këtë shqetësim, por në asnjë rast nuk do të mund të ndërpresin punën e tyre, që nisi me aq vrull dhe sukses mbas fitores spektakolare që Partia Socialiste arriti më 18 shkurt, për të qëndruar në kërkesa apo në një debat të ngritur vetëm nga një grup kolegësh.

Zëri i Amerikës: Ju shprehi besim se nuk do të ketë përçarje të grupit socialist parlamentar. A mendoni se do të arrihet kjo brenda Kongresit të Partisë?

Klosi: Unë mendoj dhe shpreh bindjen që Partia Socialiste është në një moment që do të duhet të diskutojë fare qartë arsyet përse janë të mbledhur votuesit dhe simpatizantët rreth kësaj partie. Arsyet përse -- ne do të duhet të bëjmë një opozitë të fortë dhe të sjellim të majtën në pushtet, dhe jo asrye të cilat nxisin njërin apo tjetrin brenda partisë për arsye krejt personale dhe arsye jo në nëpërputhje me platformat, vendime që kanë marrë forumet e partisë, por sjellin turbullime dhe ndarje të partisë. Mendoj që një parti e ndarë në dy apo disa grupe do ta bënte gjithmonë e më të vështirë qoftë zgjedhjen e Presidentit, apo zgjedhjet e parakohëshme të kërkuara tashmë në unison nga gjithë përfaqësuesit e opozitës, jo vetëm nga Partia Socialiste, por sidomos në javët e fundit nga një grup shumë më i madh, nga intelektualë, media, biznes, pra kushdo në Shqipëri kërkon zgjedhje të parakohëshme, ndryshim të këtij kursi qeverisës dhe mendoj dhe që 20 apo 25 shokët që kanë firmosur këtë kërkesë, që ata e quajnë mirëkuptimi, por që është kryekëput një ndërprerje e reformave të Partisë Socialiste, do të kuptojnë që fryma dhe rryma është në një proces krejt tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti Klosi, ditët e fundit ka patur kritika mjaft të ashpra ndaj Partisë Socialiste nga ish-kryetari Fatos Nano dhe tani kjo pakënaqësi është shprehur nga një numër jo i vogel deputetësh. A mendoni se është një koincidencë apo ka një lidhje mes tyre. Zoti Majko e mohoi këtë hipotezë të fundit?

Klosi: Natyrisht, që zoti Majko nuk do të kishte pse ta mohonte këtë koinçidencë, pasi edhe platforma e paraqitur nga një grup kolegësh, ku kryefirmëtari është zoti Majko, kërkon hapur që e gjithë reforma të shkojë mbas zgjedhjes së Presidentit. Do t’i qëndroj përsëri tezësh që ne do të duhet të bëjmë një reformë të plotë në Partinë Socialiste, një reformim apo një rikonfirmim të shumë kryetarëve të Këshillave zonalë, pra të njësisë së Partisë Socialiste në komuna apo bashki, të cilët do të duhet të jenë të gatshëm në çdo moment për zgjedhje të parakohëshme, apo për çdo lloj situate që mund ta paraqesë Partinë Socialiste të paorganizuar, në një përplasje shumë të shpejtë elektorale, që, siç thashë, nuk është kërkesë vetëm kërkesë e politikës, por është kërkesë e një grupimi shumë më të madh shoqëror. Opozita tashmë në Shqipëri nuk mund të përkufizohet më vetëm si Partia Socialiste, por është një koalicion i plotë opozitar, është një koalicion shumë i madh me biznesin, mediat, me përfaqësues të një komuniteti shumë të gjerë.

Zëri i Amerikës: Afrimi i çështjes se presidentit, kandidimi i zotit Nano dhe kërkesa e tij që të mbështetet nga partia socialiste dhe opozita si dhe fakti se shumë deputetë e mbështesin atë, sa rrezikon që të gjenerojë një krizë të gjatë në Partinë Socialiste, e cila e sheh seriozisht dhe variantin e zgjedhjeve të parakohëshme?

Klosi: Partia Socialiste është një ndër partitë më të vjetra dhe më të mëdha në realitetin politik shqiptar, sepse është mbajtur gjithmonë me vendimet që kanë marrë forumet. Çdo gjë do të diskutohet në forumet legjitime të Partisë Socialiste, çdo gjë do të diskutohet brenda hapësirave demokratike që kjo parti ofron pa dyshim shumë më shumë se të gjitha forcat politike në vend, dhe natyrisht, prandaj jemi të habitur sot sepse kërkesa që na vjen nga një grup kolegësh nuk është paraqitur në asnjë nga këto forume, nuk është paraqitur në media. Ka pasur një mbështetje të plotë për reformën që Partia Socialiste ka ndërmarrë - reformë që në fund të fundit e çoi Partinë Socialiste në një fitore spektakolare më 18 shkurt. //ad//

XS
SM
MD
LG