Lidhje

Kompanitë shtetërore të naftës dhe shtimi i energjisë në të ardhmen


Ekspertët e energjisë që morën pjesë në konferencë ishin të një mendimi se Kompanive Kombëtare të Naftës, shumica e tyre në vendet në zhvillim, do t’u kërkohet të përmbushin nevojat në rritje të shpejtë të botës për energji.

Po ta hedhim vështrimin drejt 30 vjetëve të ardhshëm, 90 për qind e nevojave tona, pra shtimi që ne do të na nevojitet në kapacitetin e naftës, do të realizohet nga vendet në zhvillim, - thotë organizatorja e konferencës, Amy Myers Jaffe.

77 për qind e naftës në botë kontrollohet tani nga kompani shtetërore dhe më pak se 10 për qind, është nën kontrollin direkt të kompanive të mëdha ndërkombëtare. James Mulva, Drejtor i Kompanisë CONOCOPHILIPS, përfaqësonte kompanitë e mëdha në konferencë.

Konsumatorët e energjisë veçanërisht publiku amerikan, nuk kanë arritur t’i kuptojnë transformimet që ndodhin në skenën e energjisë ndërkombëtare. Shumë konsumatorë, zyrtarë të zgjedhur dhe formuluesit e politikave, i qëndrojnë idesë se rezervat e ardhshme me energji janë kryesisht në duart e kompanive publike të naftës të vendeve perëndimore. Në krahasim me shumicën e Kompanive Kombëtare të Naftës, kompanitë e mëdha të nafës, në fakt nuk janë edhe aq të mëdha.

Zoti Mulva thotë se është i ndërgjegjshëm për nevojën që kompanitë private, si ajo e tij, të gjejnë mënyra për vënien në përdorim të parave të të investuara dhe të teknologjisë së përparuar, në bashkëpunim me ndërmarrje shtetërore.

Kompanitë shtetërore të naftës, sigurisht që kanë pronësinë, pra edhe mundësinë për shfrytëzimin e burimeve dhe ata kanë aftësi të jashtëzakonshme për realizimin e synimit të shtimit të prodhimit. Ajo që ne duhet të bëjmë si kompani ndërkombëtare nafte, si psh ConokoPhilips, është se si mund të bashkëpunojmë në shumë mënyra të reja, të ndryshme nga e kaluara.

Por David Asmus, partner i rëndësishëm i firmës ligjore të energjisë industriale, Baker Botts, thotë se investimet e nevojshme për prodhimin e naftës, shpesh drejtohen për projekte të tjera qeveritare.

Kompanitë Kombëtare të naftës shohin që shefat e tyre politikë janë më të interesuar në sigurimin e vendeve të punës, projekte të tjera të vogla, ose për programe sociale, se sa për zbulimin e burimeve naftës.

Përparësi në disa vende, si Venezuela dhe Irani, është përdorimi i të ardhurave nga nafta nga kompanitë shtetërore, për zbutjen e varfërisë. Raporti i Insitutit Baker nuk shpreh gjykim për këto politika, por profesorja Amy Myers Jaffe thotë se e ardhmja e prodhimit të naftës në botë do të varet tek çështja, se sa do të jenë të gatshme kompanitë e naftës të riinvestojnë për të shtuar prodhimin. (kh)

XS
SM
MD
LG