Lidhje

Kongresi i PS në një atmosferë përçarjeje mes dy kampesh

  • Armand Mero

Në Shqipëri, socialistët mbledhin të hënën kongresin e tyre në një atmosferë të ndarë mes dy kampeve. Një grup deputetësh prej ditësh kanë kërkuar shtyrjen e kongresit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja në parti brenda javëve të ardhshme. Të djelën shumë prej tyre u shprehën se opozita nuk duhet të provokojë zgjedhje të parakohshme. Qëndrimet e tyre shihen nga përkrahësit e Kryetarit Edi Rama si një lëvizje e orkestruar nga ish-kryetari socialist, Fatos Nano, për të përmbushur ambicjen e tij për t’u bërë president i ardhshëm i vendit. Për këtë arsye, mbështetësit e zotit Rama kanë vendosur të kërkojnë që kongresi të shprehet për bojkotimin nga ana e Partisë Socialiste të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

Kongresi i Partisë Socialiste në të vërtetë do të jetë beteja e parë e ish-kryetarit socialist, Fatos Nano, në rrugën e zgjedhur prej tij për t’u ngjitur në postin e presidentit të ardhshëm të vendit. Askush nuk e ka të qartë nëse ai do të jetë vetë i pranishëm në forumin e lartë të partisë apo do të preferojë të ndjekë në distancë përpjekjet që një grup deputetësh, disa besnikë të tij, disa të pakënaqur nga kryetari akual dhe të ndjerë të humbur në pozitat e tyre, do të bëjnë për t’iu kundërvënë platfromës së paraqitur nga zoti Rama për ndryshime në statutin e partisë dhe për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në parti, përfshirë edhe atë për postin e kreut të ri.

Zgjedhjet në të vërtetë ishin parashikuar për t’u mbajtur në fund të vjeshtës, por zoti Rama e justifikoi këtë afrim me arsyetimin se vendi mund të shkojë në zgjehje të parakohshme dhe për këtë arsye partia duhet të jetë e riorganizuar. Por ka shumë gjasa që kryetari aktual të ketë zgjedhur këtë kohë për t’i paraprirë lëvizjeve të zotit Nano. Ambicia e ish-kryetarit socialist për t’u bërë president i ardhshëm ka qenë e hershme dhe ishte mjaft e qartë për të gjithë. Ashtu siç është e qartë se në rast se një gjë e tillë nuk do të realizohej, zoti Nano vështirë se do të rrinte duke qenë një aktor i jashtëm. Dhe kështu mundësia që ai të tentonte më pas një rikthim në parti në zgjedhjet e fund vitit ishte po ashtu shumë e lartë. Një skenar të tillë e përforcon kërkesa këmbëngulëse e grupit të deputetëve të cilët kundërshtojnë platformën e zotit Rama dhe janë kategorikisht kundër zgjedhjeve të parakohshme. Nënkryetari i grupit parlamentar Petro Koçi u shpreh hapur të djelën për këtë çështje. Në të njëjtën linjë është edhe deputeti tjetër Kastriot Islami.

Fillimisht ky grup deputetësh u shpreh se ishte kundër në parim, për ndryshimet statutore dhe hidhnin poshtë çdo ide se qëndrimet e tyre kishin të bënin me mbështetjen për zotit Nano. Por duket se ata ranë në kurthin e ngritur nga pala tjetër, e cila përmes deputetit Erion Braçe ka njoftuar se do të paraqesë një rezolutë ku të merret vendim nga kongresi që Partia Socialste të bojkotojë zgjedhjen e presidentit të ri.

Të dy palët janë angazhuar në orët e fundit në kontakte me përkrahësit e tyre për të siguruar mbëhstetje sa më të gjerë për kongresin e së hënës, ku do të hidhen në votë propozimet e kundërta. Sekretari politik, Ben Blushi, thotë se në vend të mosmarrëveshjeve duhet të mbizotërojë arsyeja dhe që problemet e brendshme të mos ndihmojnë rivalët e tyre politikë të djathtë dhe Kryeministrin Sali Berisha.

Vota e sotme do të ketë një domethënie të rëndësishme. Pavarësisht se nga do të shkojë ajo, nuk mund të pretendohet, se paqja do të rikthehet në gjirin e socialistëve. Një humbje e platformës së zotit Rama do të ishte një grusht shumë i rëndë për pozitat e tij dhe do të forconte idenë se ai ende nuk e ka nën kontroll partinë. Një fitore e tij ndaj kërkesave të palës tjetër, nuk do të mund t’ia rikthente qetësinë përsa kohë ish-kryetari Nano qëndron pas derës, dhe do të lëvizë të gjithë gurët. Ai ka kërcënuar se në rast se nuk do të zgjidhet president konfliktet brenda së majtës do të jenë të gjata. //az//

XS
SM
MD
LG