Lidhje

Sistemi amerikan i raketave dhe shqetësimet e Rusisë


Shtetet e Bashkuara kanë në plan të dislokojnë një sistem anti-raketë në Evropën qëndrore gjatë pesë vjetëve të ardhshme të përbërë nga 10 interceptorë në Poloni dhe një radar gjurmues në Republikën Çeke.

Zyrtarët amerikanë thanë se objektivi është të ndërtohet një sistem thjesht mbrojtës, për t’iu përgjigjur sulmeve të mundshme nga shtetet e papërgjegjëshme si Irani. Moska, megjithatë, e shikon planin e administratës së presidentit Bush si kërcënim ndaj sigurisë së saj kombëtare.

Presidenti rus Vladimir Putin e bëri të qartë kundështimin e tij në konferencën për sigurinë në Munich në muajin shkurt. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se po shkelnin kufitë kombëtar në të gjitha format dhe se po impononin vullnetin e tyre mbi shtete të tjera.

Zoti Putin tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë një lëvizje shumë të rrezikshme që mund të çojë në një garë të re armatimesh.

Rose Gottemoeller drejton zyrën e Insitututit Carnegie Endowment në Moskë. Ajo thotë se reagimi agresiv i Rusisë ka të bëjë më shumë se politikën sesa me çdo gjë tjetër.

"Rusët e marrin këtë si një problem politik më shumë sesa një kërcënim. Ata thonë – pas Luftës së Ftohtë ju premtuat se nuk do të sillnit forca ushtarake pranë kufijve tanë. Dhe shumë herë e keni shkelur këtë premtim, sa tani nuk mban më".

Megjithë deklarimet e shumta nga zyrtarë amerikanë se rusët nuk kanë përse të shqetësohen, Rusia mund të drejtojë së shpejti arsenalet e saj bërthamore tek fqinjët e saj më të afërt.

Gjenerali që drejton forcat strategjike të raketave të Rusisë, Nikolai Solovtsov thotë se në se Polonia dhe Republika Çeke bien dakord për planin amerikan, forca strategjike e Rusisë është e aftë të vërë në shënjestër objektet e tyre.

Pra përse Rusia po tregon muskujt e saj bërthamorë? Vëzhguesit si analisti i pavarur ushtarak Alexander Goltz thonë se Kremlini është ende i zemëruar rreth vendimit amerikan për tu tërhequr nga Traktati i Raketave Anti-Balistike pesë vjet më parë.

"Kjo nuk ka të bëjë me mundësinë e një lufte bërthamore. E gjitha bëhet për imazhin e Rusisë. Amerikanët u larguan nga traktati i cili e bëri Rusinë të barabartë me Shtetet e Bashkuara".

Por disa zëra në Perëndim thonë se Moska nuk mund të gëzojë partneritet të njëjtë me Shtetet e Bashkuara përsa kohë veprimet e saj brenda dhe jashtë vendit bien në konflikt. Ndërsa bën thirrje për një botë shumëpolare, thonë analistët, Vladimir Putini po përpiqet të krijojë një shoqëri njëpolare në vend duke eleminuar kundërshtarët e tij politik dhe median e lirë.

Në rrugët e Moskës, retorika e fortë anti-amerikane e Kremlinit po gjen mbështetje të fortë.

"Amerikanët janë ata që i acarojnë marrëdhëniet me Rusinë. Ata duan të diktojnë atë që duan, demokracinë dhe çdo gjë tjetër. Për këtë arsye nuk mund të them se acarimi vjen nga Rusia".

Ka të tjerë megjithatë që mendojnë se ftohja e fundit në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është shenjë që tregon se të dy vendet duhet të ribashkohen dhe të fillojnë të gjejnë pika të përbashkëta për miqësinë mes tyre.

//ze//

XS
SM
MD
LG