Lidhje

4-vjetori i ndërhyrjes në Irak shënohet me protesta antiamerikane


Në përvjetorin e katërt të ndërhyrjes së koalicionit nën udhëheqjen amerikane në Irak, mijëra irakianë marshuan nëpër rrugët e dy qyteteve të shenjta shiite, me thirrjet për tërheqjen e trupave amerikane.

Burra, gra dhe fëmijë, duke mbajtur në duar flamurin irakian dhe me thirrje anti-amerikane, marshuan sot në qytetin e Naxhafit dhe në qytetin fqinj të Kufës. Kleriku radikal shiit Moqtada al-Sadr u bëri thirrje dje irakianëve të protestojnë kundër pranisë amerikane dhe t’u kërkojnë forcave irakiane të sigurisë t’i japin fund bashkëpunimit me ushtrinë amerikane.

Kërcënimet për sulme me makina bombë i detyruan autoritetet të vendosin ndalim-qarkullin 24-orësh të automjeteve në Bagdad, duke filluar që sot në orën 5 të mëngjesit. Forcat amerikane hynë në kryeqytetin irakian 4 vjet më parë duke përmbysur qeverinë e Sadam Huseinit.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë nuk u kushtoi rëndësi protestave antiamerikane dhe tha se tani irakianët janë të lirë të mblidhen dhe të shprehin mendimin e tyre, gjë që nuk e bënin dot nën regjimin e Sadamit. Ministri i Jashtëm irakian, Hoshyar Zebari i tha shërbimit kurd të Zërit të Amerikës, se 9 prilli është një ditë historike për Irakun, rajonin dhe botën, ngaqë i dha fund atij që ai e cilësoi, regjimi diktatorial i Sadam Huseinit.//lk

XS
SM
MD
LG