Lidhje

Forcat talebane kërcënojnë se do t'i vrasin infermierët e rrëmbyer


Në Afganistan, forcat talebane kërcënuan se do t’a vrasin personelin mjekësor prej 4 anëtarësh, me kusht lirimin nga qeveria të dy komandantëve talebanë.

Ekipi mjekësor, i përbërë nga tre infermiere dhe shoferi i tyre, u rrëmbyen më 27 mars në provincën e Kandaharit, në jug të vendit. Ky kërcënim bëhet një ditë pasi talebanët i prenë kokën përkthyesit afgan të rrëmbyer muajin e kaluar me gazetarin italian, që u lirua. Talebanët thanë se përkthyesin Ajmal Naqshbandi e vranë, ngaqë autoritetet afgane nuk liruan të burgosurit talebanë.

Presidenti afgan Karzai e dënoi vrasjen e përkthyesit, ashtu sikurse edhe zyrtarët amerikanë dhe qeveria italiane. Një zëdhënës i OKB-së për Afganistanin u bëri thirrje autoriteteve afgane t’i nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës. Tani po shtohen shqetësimet për fatin e dy francezëve të grupit të ndihmave dhe tre afganëve, po nga kjo organizatë që u rrëmbyen javën e kaluar.//lk

XS
SM
MD
LG