Lidhje

Nano: PS, organizatë interesash e një pjese aventuriere të shoqërisë


Ish kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano deklaroi sot se kongresi i fundit i solli një goditje të rëndë partisë dhe se ajo është kthyer në një organizatë interesat e një pjese aventuriere të shoqërisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Nano paralajmeroi deri shkëputjen nga partia të grupit të përkrahësve të tij duke u shprehur se tashmë nuk beson se ai do të kandidohet nga opozita për postin e presidentit dhe se kjo çështje kalon në plan të dytë për të.

Zëri i Amerikës:Zoti Nano, le të nisim me ngjarjet e djeshme (e hënë) ku u rrëzua kërkesa e një grupi deputetësh. Ngjajnë si kërkesa që çonin ujë qartë drejt objektivit tuaj për t’u bërë president dhe në një farë mënyre kjo ësht parë dhe si një humbje e juaja, apo jo?

Fatos Nano: Dje është mbyllur një cikël i historisë politike të Shqipërisë sepse me ndryshimin rrënjesor të atmosferës dhe përfaqësuesve, të dokumentave themelore dhe tashmë me mbarimin e institucioneve, PS pas kongresit te djeshëm hyn në një proces të ri zgjedhor që do t’i jap një fizionomi krejt tjetër. Nuk është më ajo Parti Socialiste e historisë sonë 15 vjecare në pluralizëm. Eshtë një parti me një identitet tjetër. Ajo që do të ndodhë pas dhunës së djeshme, dhunës politike në raport me eksperiencën dhe përvojën demokratike të krijuar nga të gjithë ne së bashku në PS, është një tjetër kuorum përfaqësuesish të shoqërisë, nuk do të jenë më figurat e njohura të derisotme si përfaqësues të shquar të shtresave sociale që mbështesin një program të së majtës socialdemokrate. Unë besoj se tashmë ajo është një organizatë politike që përfaqëson interesat e biznesit informal, e një pjese krejt aventuriere të shoqërisë shqiptare përfshirë dhe Edi Ramën që është bërë zëdhënës i grupeve okulte, të pranishme në sipërmarrje, në administratë në media, në pak komunitete që jetojnë jashtë vendit. Jam i bindur se dje historia e PS që doli nga partia e punës dhe u shndërrua në 15 vite në anëtare të Internacionales Socialiste, ka pësuar një goditje të rëndë dhe është ndërprerë.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, ju ku e shihni veten në këtë parti?

Fatos Nano: Ka dy elementë. Une nuk besoj se i vetmi institucion legjitim ipartisë së derisotme, delegatët, nuk do të veprojnë. Ata kanë filluar që dje. Braktisën sallën dhe në kontakt dhe me mua dhe vlerësimi i tyre kritik kryesor ishte “Na e morrën partinë. Nuk është më partia jonë. Eja baba të në shpëtosh". Nuk zgjidhen gjërat me emocione. Unë nuk isha dje se Edi Rama nuk po konkurron me mua, me Berishën e parë, me Berishën kryetar opozite. Berisha kryeministër është një tjetër personalitet. Eshtë drejtues i një partie të vjetër demokratike që ka nisur të transformohet tashmë prej dy vjetësh, ndërsa PS e drejtuar nga Rama është rikthyer në PD-në e parë, një parti amalgam e cila po dëmton me egërsinë e saj dhe revanshin e saj, po mbyt zërat e ndryshëm, po ngushton hapësirat e konkurrimit demokratik brenda. Ajo që unë parashikoj në planin politik te socialistëve është veprimi për të rimarrë partinë nga pjesa e përfaqësuesve të vërtetë të saj, veprimi për ta rikrijuar partinë si alternativë, nëse degradimi i procesit të sotëm që u shfaq me nivelet më të lexushme dje, do të jetë i parikuperueshëm. Në planin kombëtar, është një acarim i madh i situatës. Fjalimi i Ramës e paralajmëroi këtë gjë. Ishte një fjalim anarkist, i dhunshëm, një fjalim jashtë të gjitha standarteve dhe mjeteve të komunikimit modern me shqoërinë, me institucionet e shtetit tonë demokratik, me partnerët ndërkombëtarë me të cilët punojmë. Unë parashikoj që mazhoranca e sotme, qeveria e Berishës, partia e Berishës e provokuar kaq rëndë, do të reagojë me motivet e tyre më të gjalla në historinë e PD si opozitë.

Zëri i Ameirkës: Çfarë duhet të kuptojmë me rimarrjen e partisë apo rikrijimin e saj?

Fatos Nano: Ka ende hapësira demokratike. Ka instrumenta edhe të statutit të ligjshëm që ka ende PS, sic shtë një e treta e delegatëve mund të thërrasin kongresin e tyre dhe të rivendosin gjendjen. Apo për shkak të demokracisë së drejtpërdrejtë që ka ekzistuar dhe që tani do shpërdorohet, në procesin e zgjedhjes së delegatëve të rinj të kongresit të ardhshëm i cili do zgjedhë forumet e reja, kjo anëtarësi e gjerë dhe përfaqësuesit me reputacion e zë, mund dhe duhet të bëjnë në momentin e duhur, investimin e duhur që struktura e partisë të mos akaporohet, të mos tjetërsohet, fytyra dhe identiteti i saj të mos humbi dhe ata të mnos zëvendësohen me drejtorë ekzekutiv kombtar apo lokal të grupeve okulte të biznesit, grupeve të tipit “2K” apo gjëra të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, kjo situatë brenda partisë socialiste sa e rrezikon kandidimin tuaj për president.?

Fatos Nano: Janë dy procese që nëse deri dje ishin të mundshme për tu harmonizuar tashmë janë larguar. Për pasojë nuk besoj se selia e PSSH aktuale pas kongresit të djeshëm me një kryetar që kërkon të rizgjidhet me emrin Edvin Rama, do të pranonte negociata për të kandiduar Fatos Nanon si president, përfaqësues të opozitës së majtë. Kjo cështje zhvendoset. Unë do të vazhdoj të komunikoj me të gjithë përfaqësuesit parlamentar të socialistëve në kuvendin e tanishëm. Do të vazhdojë të komunikoj me mazhorancën, me publikun si përfaqësues i një lëvizjeje, i një investimi politik pambarim, në të cilin nuk ndjehem veteë, për një detant, për një process kontributesh mbi partiake, bipartizane, për reforma të mëdha e të munguara të cilët do të përshpejtonin procesin e integrimit në Nato dhe BE.

Zëri i Amerikës: Kjo do të thotë që ju tërhiqeni nga gara për president?

Fatos Nano: PO them që unë do vazhdoj të kërkoj krijimin e konsensusit dhe kuorimit parlamentar të dy krahëve që do të mbështeste kandidimin tim si president në emër të një procesi politik, dhe parlamentar, që do të krijonte një mazhorancë europianiste në mbështetje të përshpejtimit të reformave për integrim.

Zëri i Amerikës: Pra nuk qëndron më ajo që keni thënë pak ditë më parë se nuk do të pranoni të zgjidheni si pasojë e përllogaritjeve aritmetike të numrave në parlament?

Fatos Nano: Edhe një herë. Grupi parlamentar i PS është ende sovran, është ende i pashkatërruar. Unë besoj që ata deputetë që dje kërkuan rivendosjen e gjendjes dhe një konsensus për normalitet dhe ekulibër, do të pozicionohen ndryshe në këtë proces, siç është e qartë me deformacionin e rëndë që ndodhi në kongresin e socialistëve dje, do të zgjerohen radhët e tyre dhe do ti përgjigjen apelit të strukturës përfaqësuese të partisë në të gjithë territorin për të rivendosur identitetin e partis ssocialiste të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano mbështetja juaj në parlament mbetet ajo e deputetëve që ju përkrahin. Tani ju duhet të siguroni mbështetjen e shumicës. Sa garanci keni se kjo shumicë e cila e ka tashmë një kandidat të sajin, nuk do hynte në tratativa për konsensus me atë që është opozita zyrtare?

Fatos Nano: Për mua edhe njëherë, objektivi i zgjedhjes si president është dytësor. Unë do të drejtoj një lëvizje politike që synon detantën, bashkëpunimin bipartizan, integrimin edhe të faktorëve jo politik, me politikat e reformave të përshpejtuara për integrim, e cila do të ishte me e fortë, më e garantuar nëse do të kurorëzohej me presidencën e republikës. Në rast se jo, kjo nuk është një tragjedi. Kjo lëvizje do të vazhdojë dhe do të përfshijë të njejtët aktorë, të njejtat kontribute dhe do ketë të njejtat objektiva e natyrisht do shfaqet në mjedisin parlamentar dhe politik të vendit në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: A mund të mendojmë se një zgjidhje në ekstermin e saj do të sillte një shkëputje nga partia socialiste?

Fatos Nano: Unë nuk përjashtoj që ata që po bashkohen me këtë lëvizje, do të vijnë nga të gjitha krahët dhe partitë ekzistuese. Unë besoj se mbështetës dashamirës, luftëtar për reforma europiane ka nga të gjitha partitë dhe ata janë në gjendje të krijojnë konsensuse dhe mazhoranca të qëndrueshme, që do të margjinalizonin parti si kjo e Edvin Ramës, që dje bëri kushtrim për konflikte të reja politike dhe kombëtare.

Zëri i Amerikës: Po insistoj zoti Nano, kjo lëvizje do të mbajë siglën e PS apo ndonjë tjetër?

Fatos Nano: Nuk besoj se një lëvizje me kaq përmbajtje do të pengonin apo ngushtonin siglat. Siglat do të gjenden në kohën e duhur duke harmonizuar simbolet e socialistëve në 15 vjet, simbolet e demokratëve në 15 vjet, simbolet e aspiratave shqiptare për integrim, që nuk kanë të sosur. //rd//

XS
SM
MD
LG