Lidhje

Berisha: Reforma për anëtarësim në Nato


Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se qeveria shqiptare është e vendosur të thellojë më tej reformat politike, ekonomike dhe ushtarake për të shpejtuar sa më shumë anëtarësimin e vendit në NATO dhe në BE.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi presidenti Xhorxh Bush ka firmosur ligjin, me të cilin qeveria e SHBA-ve autorizohet të ndihmojë edhe financiarisht Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën në përpjekjet e tyre për anëtarësim në NATO. "Kjo përbën një inkurajim shumë të madh në përpjekjet tona për të arritur standardet dhe plotësuar kriteret e domosdoshme për të merituar ftesën në Samitin e Bukureshtit, që do të jetë edhe samiti në të cilin do të vendoset zgjerimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut" - tha zoti Berisha.

Zoti Berisha tha se edhe reformat ekonomike të kërkuara nga Bashkimi Europian po ecin në rrugën e duhur, megjithë efektet dhe pakënaqësitë që ato sjellin përkohësisht shtresa të ndryshme të shgoqërisë. "Ndaj dhe ne mbetemi të përkushtuar dhe të vendosur si ditën e inaugurimit tonë, në shtator të vitit 2005, të procedojmë me reformat. Për ne, alfa dhe omega e veprimtarisë sonë kanë qenë, janë e do të mbeten reformat" - tha zoti Berisha.

Komisioni Evropian miratoi dje një marrëveshjen e liberalizimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian, e cila pritet të firmoset së shpejti. Marrëveshja parashikon procedura të përshpejtuara në marrjen e vizave për familjarët me fëmijët në emigracion, studentët, gazetarët dhe biznesmenët.

Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE janë ndër çështjet shumë të pakta për të cilat forcat politike në Shqipëri kanë një mirëkuptim dhe bashkëpunim të plotë, një mirëkuptim ky që nxitet edhe nga mbështetja masive e opinionit publik për integrim në strukturart euro-atlantike. //rd//

XS
SM
MD
LG