Lidhje

Kandidatët për zgjedhjet presidenciale 2008


Këtu në Shtetet e Bashkuara janë rreth 20 politikanë që kanë shpallur kandidaturat për president ose që kanë ndermend të kandidojnë. Disa janë mjaft të njohur, si senatorët Hillary Clinton apo John McCain. Të tjerët janë më pak të ekspozuar.

Nga 10 politikanët që kërkojnë miratimin e Partisë Republikane për të kandiduar për postin e presidentit vitin që vjen, ju mund të keni humbur rastin të dëgjoni njoftimin e njërit nga më të fundit për tu futur në garë. “Unë jam Tom Tancredo dhe po shpall kandidaturën time president të Shteteve të Bashkuara.” Tancredo është kongresmen nga Koloradoja i cili e mbështet suksesin për në Shtëpinë e Bardhë në një çështje të vetme: “Po flas në radio sepse ne përballemi me një problem të përmasave të mëdha....dhe që quhet imigracioni ilegal”, thotë kandidati.

Ekspertë të politikës thonë se Tancredo apo kandidatë të tillë kanë shanse të vogla për të fituar mbështetjen republikane. Mes të tjerësh janë edhe kongresmeni i Kalifornisë Duncan Hunter, kongresmeni nga Teksasi dhe ish guvernatori i Virxhinias, Jim Gilmore.

Por edhe nga ana e demokratëve ka shumë konkurues që po luftojnë për të tërhequr vëmendjen. Ndër më të njohurit janë senatorët Hillary Clinton, Barak Obama dhe John Edwards. Ndërsa ish senatori i Alaskës Majk Gravell dhe kongresmeni i Ohajos Denis Kuçiniç rrallë përmenden në mjetet e shtypit rreth fushatës së tyre.

Guvernatori i Nju Meksikos Bill Riçardson tërhoqi vëmendjen si ish pjestar i kabinetit të ish presidentit Klinton. Por edhe Riçardson nuk po mund të kapërcejë hendekun për t’u bërë një zë në kampin tepër të ngarkuar demokrat. Riçardson po e bazon politikën e tij rreth sherbimit si ambasador i administratës së presidentit Klinton në OKB dhe shpesh duke sulmuar politikat e presidentit Bush në arenën ndërkombëtare. “ I di kritikat e zakonshme ndaj guvernatorëve kur thonë që ne nuk kuptojmë nga politika e jashtëme. Ndoshta kjo mund të thuhet për ndonjë guvernator nga Teksasi, por jo për mua“, thotë zoti Riçardson.

Shtohet pyetja se pse kaq shumë kandidatë me shanse mjaft të vogla për të fituar po qendrojnë në garë? Eksperti Ross Baker i universitetit “Rutgers” thotë se shumë prej tyre shpresojnë të kenë shans nëse disa kandidatë më të njohur ndeshin pengesa në fushatat e tyre. “Ata që janë shumë të njohur tani dhe që duket të jenë fitues të mundëshëm, mund të zbehen dhe njerëzit të humbasin interesin ndaj tyre. Fushata e tyre mund të venitet. Sa më e gjatë të jetë fushata, aq më të mëdha janë shanset që dikush të gabojë.” Të dhënat e fundit nga grumbullimi i fondeve për fushatat tregojnë se kandidatëve më pak të njohur do t'u duhet të kapërcejnë një hendek të gjerë që të merren seriozisht në betejen për president.

Demokratët Klinton dhe Obama grmbulluan më shumë se 25 milion dollarë secili ndërkohë që kandidati republikan Mittt Romney siguroi 21 milion dollarë në tremujorin e parë të këtij viti. Kjo krahasuar me 500 mijë dollarë secili të grumbulluara nga kandidatët republikanë Duncan Hunter dhe Mike Huckabee.

John Fortier i çështjeve politike amerikane me Insitutin Enterprize këtu në Washington. “Grumbullimi i parave është shumë i rëndësishëm për arsye praktike si përshembull reklamat, Por gjithashtu bëhet simbol i fuqisë së kandidatëve.” Si rezultat i numrit të madh të kandidatëve, të dy partitë mund të presin debate publike të shumta në muajt para kongresve partiake dhe zgjedhjeve paraprake janarin që vjen. //rd//

XS
SM
MD
LG