Lidhje

Fushatë e dy individëve për të luftuar ngrohjen globale

  • Zamira Edwards

Një jugafrikan dhe një mik i tij britanik kanë ndërmarrë një fushatë për të angazhuar individë të veçantë në mbarë botën për të ndihmuar në luftën kundër ngrohjes globale. Ajo quhet Fushata Tokë- Zjarr-Akull dhe u kërkon njerëzve të hyjnë në faqen e tyre elektronike dhe të zotohen të mos përdorin tharrësen e flokëve, të ulin temperaturën e sistemit ngrohës në banesë ose të ecin më shumë dhe të ngasin makinën më pak. Për të filluar fushatën e tyre, dy themeluesit morën pjesë në maratonën më të nxehtë dhe atë më të ftohtë në botë.

Maratona e Saharës është ndoshta gara më e vështirë në botë. Edhe në mes të dimrit, temperaturat mund të arrijnë me lehtësi në mbi 30 gradë celsius. Por çdo vit, disa qindra vrapues shkojnë në Algjeri për të konkuruar në emër të bamirësisë.

Gara zhvillohet për të mbledhur fonde dhe për të nxitur vetëdijen për popullin saharian, refugjatë, që u detyruan të largohen nga vendi i tyre në Saharën perëndimore para 30 vjetësh. Ata vazhdojnë të jetojnë në një kamp refugjatësh.

Këtë vit, jugafrikani Ed Stumpf dhe kolegu i tij britanik, Shan Kornuell, shkuan aty në përpjekje për të filluar atë që ata e quajnë Fushata Tokë, Zjarr, Akull kundër ngrohjes globale.

Shan Kornuell thotë se dëmet e shkaktuara nga ngrohja globale do të bëjnë që më shumë njerëz të vuajnë nga kushte të rënda, që ka përjetuar populli saharian. Por banorët në Evropë dhe gjetkë mund të bëjnë diçka rreth kësaj gjendjeje.

“Ekziston një mendim i përgjithshëm se vetëm qeveritë dhe bizneset mund të bëjnë diçka për të ndryshuar prirjen e ngrohjes globale dhe në se individë të veçantë dëshirojnë të bëjnë diçka në këtë drejtim, ata duhet të bëjnë sakrifica të mëdha, të heqin dorë nga një jetesë e rehatshme. Prandaj ne po përpiqemi të provojmë të kundërtën. Në fakt, këta individë nuk kanë nevojë të bëjnë sakrifica të mëdha që të kenë një ndikim të madh në ngrohjen globale.”

Ndërsa Shan Kornuell dhe Ed Stumpf kanë shpenzuar 20 mijë dollarë nga fondet personale për fushatën, ata kanë arritur të sigurojnë edhe fonde sponsorizuese dhe shpresojnë që në të ardhmen kompani të tjera t’i mbështesin.

Njerzit mund të vizitojnë faqen e tyre elektronike dhe aty të japin ndihma për të luajtur rolin e tyre në luftën kundër ngrohjes globale, madje të ftojnë miqtë dhe të afërmit e tyre të bëjnë të njëjtën gjë.

Ed Stumpf thotë se ajo që nevojitet më shumë nuk janë paratë, por angazhimi në fushatë.

“75 përqind e dioksidit të karbonit në botë çlirohet nga vendet e industrializuara, e megjithatë ndikimet më të mëdha ndjehen larg tyre në vendet në zhvillim. Një udhëtim i shkurtër si edhe udhëtimi ynë në Saharë e bën të qartë shqetësimin tonë. Është mëse e qartë. Çfarë do të bënin këta njerëz në se klima globale do të ndryshonte.”

Themeluesit e fushatës Tokë, Zjarr, Akull shpresojnë që deri në një milion njerëz të angazhohen në fushatën e tyre, e cila ata mendojnë se është e para që bën thirrje për angazhimin e individëve të veçantë. //ze//

XS
SM
MD
LG