Lidhje

Shpërthimi i një bombe në Parlamentin e Irakut le 8 të vrarë


Një zyrtar ushtarak amerikan në Irak tha se nga shpërthimi i një bombe brenda ndërtesës së parlamentit në Bagdat, u vranë 8 persona, dhe u plagosën më shumë se 20.

Gjeneral majori amerikan Uilliam Kalduell tha se një person shpërtheu me sa duket jelekun me eksplozivë dhe se shpërthimi i ngjante sulmeve të shkuara al-Kaidës në Irak.

Zyrtarë irakianë thonë se tre nga të vrarët ishin deputetë. Shpërthimi ndodhi në një kafene dhe ishte një ndër incidentet më të rëndë që ndodh brenda rajonit tepër të fortifikuar të quajtur Zona e Gjelbër.

Kryetari i Parlamentit i tha televizionit shtetëror se deputetët do të mbajnë të premten një sesion të posaçëm për t’ju kundërvënë terrorizmit. Para kësaj, të paktën tetë persona u vranë dhe 22 u plagosën nga shpërthimi vetvrasës me kamion bombë në njërën nga urat kryesore mbi Lumin Tigër.

Shpërthimi shkatërroi strukturën prej çeliku të urës duke bërë që një numër makinash të binin në lumë gjatë orëve me trafik të ngarkuar të mëngjesit.//lk

XS
SM
MD
LG