Lidhje

Reforma zgjedhore, nevojë urgjente për ligjvënësit shqiptarë


Parlamenti shqiptar ka filluar përgatitjet për të ringritur komisionin dypalësh pozitë-opozitë të reformës zgjedhore.

Procesi është ngadalësuar për shkak të zhvillimeve në Partinë Socialiste të opozitës, sepse kryetari i grupit parlamentar socialist, Pandeli Majko dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat partiake. Homologu i tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi, thotë se maxhoranca është në pritje që opozita zgjedhë një kryetar të ri grupi, dhe përfaqësuesit e vet zyrtarë që do të përfshihen në komisionin dypalësh.

Ndërsa Arben Malaj, deputeti njohur i Partisë Socialiste, thotë se reforma zgjedhore është e detyrueshme për të gjithë.

"Kur vjen puna për të treguar një vullnet politik për reformat më të rëndësishme që ka vendi, dhe sidomos për reformën zgjedhore, besoj se ekspertët e PS, deputetët me përvojë të gjatë dhe konkrete janë të gatshëm të bëhen pjesë e ekipeve të përbashkëta për ta përshpejtuar këtë proces. Nuk do të besoja që zhvillimet e vështira në PS të arrijnë të kenë impakt negativ deri në hezitim për të përzgjedhur përfaqësues it, apo për t'u bërë pjesë aktive e grupeve të punës së detyrueshme për reforma të detyrueshme si ajo zgjedhore" - tha zoti Malaj.

Nga ana tjetër, zoti Topi i PD është optimist, se komisioni i ri për reformën zgjedhore nuk do të ndjekë rrugën e dështimeve të komisioneve pararendëse.

"Nuk besoj se do të ketë vonesa, sepse të gjithë janë shprehur se ndjejnë nevojën që komisioni dypalësh të fillojë sa më shpejt të jetë i mundur dhe përfundimisht politika shqiptare dhe parlamenti shqiptar t'i largohen asaj sëmundjeje kronike të shtyrjes së gjërave pafundësisht dhe në fund i realizon ato in extremis, kur cështjet janë në fazën akute" - tha zoti Topi.

Por zoti Malaj i PS thotë skeptik se situata po mbingarkohet prej komenteve kontradiktore për zgjedhje të parakohëshme dhe mbarimi i afatit për zgjedhjen e presidentit të vendit.

"Gjendemi sërish në një situatë të vështirë dhe në një përsëritje të përvojave jo të mira për reforma zgjedhore dhe për menaxhimin e situatës politike në vend. Situata politike po mbingarkohet për shkak të zgjedhjes së presidentit të vendit. Më tepër në opinionin publik janë të pranishme kërcënimi për zgjedhje të parakohëshme sesa fryma për të gjetur një zgjidhje konsensuale, që të mos përsëritet "shansi i humbur", për të krijuar një kulturë të re politike me kompromise dhe konsensus dhe për të mos rënë në kriza ciklike, që e vështirësojnë jetën ekonomike të vendit si edhe ambicjet e integrimit. Fatkeqësisht, megjithëse ka deklarime reciproke për reformën zgjedhore, ende nuk ka një punë të filluar. Kontradiktat midis deklaratave kategorike që, "jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të parakohëshme" prej të gjithë krahëve politikë nga njëra anë, dhe mungesës së vullnetit për të filluar një punë të përbashkët për reformën zgjedhore nga ana tjetër, janë pjesë e një mentaliteti më tepër të orientuar nga krizat sesa nga përgjegjësitë dhe zgjidhjet afatgjata" - tha zoti Malaj.

Ndërkaq, zoti Topi është shpallur zyrtarisht nga PD si kandidat për postin e presidentit. Ai thotë se reforma zgjedhore ka më shumë përparësi në axhendën poltike të vendit. Zoti Topi mendon se kandidatët për president duhet të shpalosin detyrimisht në publik platformat e tyre politike. "Shpallja e platformave është e detyrueshme, por gjithmonë dhe cdo gjë është në funksion të kohës. Besoj që në axhendë janë së pari reforma zgjedhore dhe zgjedhja e presidentit" - tha zoti Topi. Ndërsa deputeti socialist, Arben Malaj, mendon se presidentin duhet ta propozojë opozita, sipas shembullit të presidentit konsensual. "Ne do të shpresonim shumë që përvoja e krijuar me rastin e presidentit Moisiu të veprojë si një rregull në politikën shqiptare; pra palët të gjejnë zgjidhje për kandidatura të përzgjedhura dhe konsensuale. Besoj që opozita tërësisht e unifikuar, në debatet e brendshme në PS apo në koalicionin e majtë, të lodhet në debatin për emrin konkret, të cilin ne do ta paraqisim si obsion të zgjedhjes së presidentit dhe largimit të krizës për presidentin në politikën shqiptare" - tha zoti Malaj. Por kandidati i PD për president, Bamir Topi, thotë se ende nuk po ndodh një fushatë për zgjedhjen e presidentit, dhe se ai është i gatshëm që të mbrojë pikëpamjet e veta në cfarëdo rrethane konkurrence që do të krijohet. "Unë mendoj që nuk jemi në momentin e një fushate. Une nuk jam prononcuar asnjëherë për asnjë cështje sepse është vetëm kandidim dhe një lancim zyrtar i maxhorancës. Sipas situatave që do të krijohen në vazhdim, atëherë do të lindë nevoja për të dhënë prononcime më të thelluara për këtë cështje" - tha zoti Topi. Këtë viti është hera e parë që përgatitjet për reformën zgjedhore fillojnë shumë herët, është hera e parë që shpallen disa kandidatë për postin e presidentit, dhe është po ashtu hera e parë që opozita po shqyrton mundësinë e provokimit të një krize parlamentare në castin e zgjedhjes së presidentit, për të pretenduar zgjedhje të parakohshme pas bllokimit të parlamentit.

XS
SM
MD
LG