Lidhje

Moska përgatitet për katër tubime të ndryshme


Moska po bën përgatitje për katër marshime të ndryshme proteste nesër, ndërkohë që udhëheqësi i opozitës, kampioni i shahut Geri Kasparov, thotë se autoritetet mund të jenë duke bërë plane për të provokuar trazira.

Grupi i zotit Kasparov, “Një Rusi Tjetër” ka në plan të zhvillojë një marshim të disidencës, siç e quan ai, në kryeqytetin e Rusisë, rreth të njëjtës kohë që do të zhvillohet marshimi i “Gardës së Rinisë”, pro-Kremlinit.

Edhe partia liberale SPS ka planifikuar një miting, ndërsa partitë kundër imigracionit, nga ana e tyre, do të zhvillojnë edhe ato një demostratë.

Partitë “Një Rusi Tjetër” dhe “Garda e Rinisë” kanë kërkuar që t’i zhvillojnë manifestimet e tyre në sheshin prestigjioz “Pushkini”. Autoritetet thonë se kërkesa e parë u shkoi nga grupi pro-Kremlinit dhe i kanë dhënë urdhër Partisë “Një Rusi Tjetër” të mblidhet gjetkë.

Zoti Kasparov tha se mbështetësit e tij po detyrohen të mbidhen në një vend tjetër në mënyrë që të bllokohen dhe kontrollohen më me lehtësi nga policia.

Ai u tha mediave ruse të enjten se beson që Kremlini po përpiqet të provokojë dhunë, duke thënë se i ka paralajmëruar përkrahësit e tij që të ruajnë gjakftohtësinë. Kasparov tha se autoritet ruse do të mbajnë përgjegjësi, në qoftë se shpërthejnë trazira. //az//

XS
SM
MD
LG