Lidhje

Komente të dy ekspertëve amerikanë për Kosovën


Ndërsa udhëheqësit e Kosovës janë mbledhur në Nju Jork këto ditë, për të diskutuar rreth së ardhmes së Kosovës pas miratimit të planit Ahtisari, përfaqësuesit e vendeve të Këshillit të Sigurimit përgatiten të dërgojnë gjatë këtij muaji një mision faktmbledhës në Kosovë. Cila është domethënia e këtyre zhvillimeve? Në vazhdim ju njohim me mendimet e 2 ekspertëve të çështjeve të Ballkanit:

Profesori i Shkencave Politike, Stiv Majer thotë se misioni faktmbledhës nuk do të sjellë rezultate.

“Në fund të fundit, misioni do të përsërisë përfundimin e mëparshëm se është bërë përparim në çështjen e të drejtave të pakicave, por jo sa duhet. Përfaqësuesit shkojnë në mision me një objektiv të caktuar për të arritur në përfundimin, që duan të arrijnë. Me fjalë të tjera, secila palë synon të mbështesë qëndrimin e mëparshëm, qoftë Rusia, qofshin Shtetet e Bashkuara”.

Obrad Kesiç, konsulent biznesi në një firmë këtu në Uashington thotë se objektivat e misionit faktmbledhës janë të ndryshme. Nga njëra anë janë përfaqësuesit që shkojnë në Kosovë me synimin për të konfirmuar se janë krijuar kushtet për zbatimin e planit Ahtisari. Nga ana tjetër në të njëjtin mision janë përfaqësues të qeverive të tjera, synimi i të cilëve është të tregojnë se asgjë nuk ka ndryshuar e se kushtet nuk janë të përshtatshme për zbatimin e planit dhe se duhet të vazhdojnë negociatat. Analisti Kesiç thotë se një gjë është e sigurtë:

“Një gjë që do të dalë me siguri nga ky mision është shtyrja e marrjes së vendimit lidhur me planin Ahtisari. Vetë pranimi i misionit faktmbledhës përbën shtyrje. Është realiste të thuhet se debati në Këshillin e Sigurimit nuk do të fillojë deri nga vjeshta”.

Zoti Kesiç thotë se është dakord me vlerësimet e shumta që janë bërë se shtyrja shoqërohet me rrezikun e paqëndrueshmërisë dhe dhunës, megjithëse, sipas tij, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, një rrezik i tillë ekziston pavarësisht nëse ka shtyrje apo jo. Edhe profesor Majer thotë se asgjë pozitive nuk vjen nga shtyrja.

“Koha është me shumë rëndësi. Sa më shumë kohë që të kalojë, aq më shumë dëmtohet plani Ahtisari dhe strategjia për zbatimin e tij. Madje fillojnë të dalin në pah probleme. Mendoj se strategjia serbe është që gjërat të zvariten sa më shumë, ndërkohë që strategjia e shqiptarëve të Kosovës është që statusi të zgjidhet sa më parë që të jetë e mundur”.

Në Kombet e Bashkuara ekzistojnë dy skenarë: Arritja e një rezolute të Këshillit të Sigurimit, që do të kërkonte shumë kompromise dhe negociata mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Zoti Kesiç thotë se fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur prandaj flitet për shtyrje, e ndoshta shtyrja, thekson ai, është alternativa më e mirë mes shumë alternativave negative:

“Është shumë vështirë të thuhet se cila rrugë do të ishte më negativja: shtyrja apo ecja përpara me planin Ahtisari, që nuk gëzon mbështetje të plotë në Këshillin e Sigurimit. Në se statusi i Kosovës zgjidhet, pa një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, atëhere ekziston mundësia që Kosova të njihet si shtet i pavarur nga vende individe. Kjo krijon një situatë edhe më të paqëndrueshme për Ballkanin dhe gjithë botën si dhe një precedent shumë të rrezikshëm”.

Nga ana e tij, profesor Majer thotë se precedenti është krijuar që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe që prej më shumë se 15 vjetësh kemi parë shpërbërje të shumë shteteve.

“Por ajo që bën zbatimi i planit Ahtisari, me apo pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, është se përforcon në mënyrë të fuqishme këtë precedent dhe do të ketë ndikim të madh në gjithë rajonin e Ballkanit dhe në zona të tjera të botës. Kosova si precedent nuk është aq unike sa duan ta paraqesin Shtetet e Bashkuara dhe është më unike sa se e paraqet Rusia”.

Profesori thotë se fuqitë perëndimore duhet të respektojnë vullnetin e popullit të Kosovës.

“Mendoj se një prej sfidave më të vështira me të cilat ndeshet Kosova e që ka qënë vazhdimisht e pranishme, që prej shpërbërjes së Jugosllavisë është se serbët dhe shqiptarët nuk duan të bashkëjetojnë në të njëjtin komunitet politik. Mendoj se koncepti i vetvendosjes etnike duhet rishqyrtuar dhe i gjithë procesi demokratik i bazuar në komunitetet etnike nuk duhet lënë mënjanë. Fuqitë perëndimore duhet të pranojnë realitetin dhe të njohin dëshirën e popujve të Ballkanit në vend që të përpiqen të marrin vendime për të ardhmen e tyre. Imponimi i një zgjidhjeje do të krijonte paqëndrueshmëri. Për mendimin tim, plani Ahtisari do të institucionalizonte krijimin e bashkive në baza etnike, ashtu siç ndodhi me planin Dayton në Bosnje.”

Profesori thotë se një prej gabimeve më të mëdha që bëjnë fuqitë perëndimore është se ato mendojnë se mund të kthehen prapa në një pikë të caktuar të historisë. Ndërsa konsulenti Kesiç thotë se problemi gjatë procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës ka qënë vendosja e afateve, duke e përqëndruar vemendjen tek datat dhe jo çështjet rreth të cilave duhet negociuar dhe bërë kompromise.

XS
SM
MD
LG