Lidhje

Shkup: Takim VMRO-DPMNE - BDI dhe PDSH - PPD


Në Shkup u takuan kryetarët e partive VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, me ekipet e tyre për të diskutuar mbi disa nga çështjet që partia shqiptare (BDI) i konsideron të domosdoshme për miratim. Zoti Ahmeti tha se partia e tij nuk do të kthehet në Parlament pa u arritur një marrëveshje midis dy palëve. Ndërkohë, po në Shkup u takuan drejtues të dy partive tjera shqiptare (PDSH dhe PPD) në lidhje me idenë e formimit të një grupi të unitetit ndërmjet partive politike shqiptare në Maqedoni.

Ndërkohë që Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski me ekipet e tyre takoheshin për të vazhduar dialogun e shumëpritur në lidhje me disa nga çështjet kyçe të Marrëveshjes së Ohrit, nga ana tjetër, një takim paralel por në tjetër vend zhvillohej midis zyrtarëve të lartë të PDSH dhe PPD; kjo e fundit synon përfishrjen në qeveri.

Kryeministri Nikolla Gruevski tha se me BDI-në u bisedua për të gjitha çështjet për të cilat kishte interes partia shqiptare dhe se ai dhe ekipi i tij e ka informuar ekipin e BDI-së për veprimtarinë e qeverisë në lidhje me integrimet evroatlantike. Zoti Gruevski u tha mjeteve të informimit se të gjitha ligjet e parapara për vitin 2006 ose janë miratuar, ose janë vënë në procedurë parlamentare ose qeveritare. Por, ai nuk deshi të flasë për hollësi të tjera rreth bisedimeve me partinë opozitare shqiptare.

Ndërkohë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti tha se ka përparim në këto bisedime. Siç dihet, çështje kyçe të bisedimeve janë ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, një ligj për veteranët shqiptarë të konfliktit të vitit 2001, zbatimi i parimit të Badenterit ose respektimi i vetos së deputëteve jomaqedonas në Parlament si dhe zgjedhja e qeverisë po sipas këtij parimi. Zoti Ahmeti mendon se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare pasi të arrihet pëlqimi për të gjitha pikat. Në të kundërtën partia e tij nuk do t’i kthehet punimeve të Parlamentit: SB.

“Mendoj se vendi ka nevojë që këto procese të shkojnë përara duhet të gjitha palët të punojnë në mënyrë intensive nëse janë të interesauara për përparimin e vendit”,- tha ai.

Takimi u mbajt në praninë edhe të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup. Takimet pritet të vazhdojnë javën e ardhshme.

Ndërkohë, takimi paralel midis drejtuesve të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe të Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), ka pasur për synim krjimin e një grupi të unitetit. Nënkryetari i PDSH-së Menduh Thaçi e quajti takimin e tyre me interes kombëtar ndërsa atë të BDI-së me VMRO-në e kryeministrit Gruevski një takim vetëm midis dy partive.

Ndërkaq, Ali Ahmeti shprehet:

“Ne nuk duam të bëjmë akrobacione dhe të luajmë me ndjenjat e popullit shqiptar në Maqedoni. një nismë të tillë ne e kemi pasur në nëntor, dhjetor të vitit 2001 që aso kohe është ëprshëndetur nga të gjithë shqiptarët nisma për krijimin e Këhsllit koordinues të shqiuptarëve. Ky këshill veç qe formuar dhe po me nisjativë të këtyre dy partive ky Këshill u shkatërrua dhe ne u detyruam të bëjmë parti politike.”

Kryetari i PPD-së Veseli thotë se partia e tij ka marrë ftesë për t’u bërë pjesë e qeverisë, ndërsa në lidhje me këtë zoti Ahmeti duket indiferent. Partia e Prosperitetit u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga koalicioni që kishte deri para pak ditësh me partinë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim.

XS
SM
MD
LG