Lidhje

Konkurs tekniko shkencor, garat me robotë


Çdo vit, në muajt mars dhe prill, në Shtetet e Bashkuara zhvillohen konkurse që venë në provë aftësitë e studentëve në projektimin dhe përdorimin e robotëve, apo makinave që kryejnë disa veprime bazë, të kryera zakonisht nga njerëzit.

Fillimisht, studentët projektojnë dhe ndërtojnë pjesët mekanike. Pastaj, duke përdorur pajisje të kontrolluara me pult komandimi, ata i venë robotët në garë, duke i manovruar në mënyrë të tillë, që të kapin objekte dhe t’i vendosin ato në vendin e duhur, sipas një rregulli të veçantë.

Paul Gudonis është kryetar i një organizate jo-qeveritare, FIRST, që nxit shkencën dhe teknologjinë, si dhe e financon konkursin.

“Kemi grumbulluar mijëra nxënës të shkollave të mesme, të cilët kanë ndërtuar robotë gjatë 6 javëve të fundit. Ata konkurojnë për të treguar se i kanë përdorur të gjitha mjetet e nevojshme për ta fituar këtë lloj ushtrimi mendor".

Ndonëse atmosfera është tepër e gjallë, si të ishte dita e karnavaleve, konkurrimi është intensiv.

Studentes Leila Zheng, nga Torronto e Kanadasë, që merr pjesë për herë të parë në këtë konkurs, po i pëlqen atmosfera e komunikimit.

“Ka shumë për të mësuar nga ndërtimi i robotëve, nga biseda me ekipe, apo financues të tjerë.”

Adam Hurd, nga Redondo Beach, e Kalifornisë ka marrë pjesë në konkurs për katër vite me radhë të shkollës së mesme.

“Ka shumë për të mësuar. Ka shumë fusha të robotikës që mund të studjohen. Mund t’i transferosh informacionet në drejtime të ndryshme. Fillova si programues dhe tani projektoj objekte me tre dimensione për kompjuterat.”

Edhe Alice Gray, e shkollës së mesme Grande, pranë Los Anxhelosit, po ashtu vjen këtu që prej 4 vjetësh.

“Konkurset, natyrisht, janë nga gjërat më të bukura, atmosfera e tyre, energjia, emocionet që krijojnë.”

Alice studjoi për arte figurative kur filloi shkollën e mesme, por konkurset për robotë i kanë ndryshuar synimet e saj lidhur me karrierën e ardhshme.

“Kur fillova të krijoj ekipin, nuk isha e sigurtë se ç’doja të bëja. Kam interpretuar në skenë gjithë jetën time, por mendoja të vazhdoja studimet për psikologji, apo diçka të ngjashme. Megjithatë, tani, pas vitit të dytë në ekip, e di me siguri se dua të bëhem inxhiniere mekanike”.

Konkurset për robotë i nxisin pjesëmarrësit të venë në përdorim aftësitë mendore dhe të forcojnë reflekset e tyre. Ekipet marrin vlerësim për projektin, shpirtin e bashkëpunimit, zgjidhjen e problemeve, pjekurinë dhe profesionalzimin.

Më shumë se 1 mijë e 100 ekipe marrin pjesë në konkurset rajonale dhe kampionatet kombëtare për ndërtimin e robotëve.

XS
SM
MD
LG