Lidhje

Ralf Nader, veprimtar i të Drejtave të Konsumatorëve


Shkrimtari irlandez George Bernard Shaw dikur e përshkruante “njeriun e paarsyeshëm” si dikush që këmbëngul në përpjekjet për t’ja përshtatur botën vetes së tij. Producentët e filmit me të njëjtin titull, Henriette Mantel dhe Steve Skrovan thonë se ky përkufizim nuk i përshtatet më mirë një njeriu tjetër se sa mbrojtësit të të drejtave të konsumatorëve dhe aktivistit politik Rlaph Nader. Dokumentimi i tyre për njeriun që disa e shohin si ndërgjegja e Amerikës dhe në të njëjtën kohë, si njeriun që devijoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, ka shkaktuar po aq debate sa edhe vetë politikani Nader.

Ishte pikërisht vdekja e disa njerëzve në aksident automoblistik, që e detyroi Ralph Naderin të bëhej aktivist në politikë mbi 50 vjet më parë.

“Dy vetë vdesin në një taksi, ose në një kamion të përfshirë nga flakët. Dy çifte nga Wisconsini vdiqën në aksident automobilistik në Dakotën e Veriut, 16 fëmijë mbetën jetimë”.

Numri i viktimave ishte tronditës. Rezultatet e fushatave të tij kundër makinave jo të sigurta, ... të habitshme.

Në fund të viteve ’50, makinat amerikane u pajisën me rripa sigurie dhe më vonë edhe me jastëkë me ajër.

Historiani David Bollier thotë se në fundin e viteve ’60 dhe 70, Nader ishte bërë një nga mbrojtësit më aktivë të të drejtave të konsumatorëve në Amerikë.

“Për rreth një dekadë, Ralph thuajse e kishte bërë për vete publikun. Ai kishte krijuar një rezyme në fushën e mbrojtjes së ligjit si qytetar privat, që do ta kishte patur zili çdo president i kohëve moderne”.

Pra, çfarë e shndërroi Ralph Naderin nga një mbrojtës të konsumatorëve në vitet ’70, në një njeri të papëlqyer për shumë demokratë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000? Dokumentari “Njeriu i paarsyeshëm” hedh dritë mbi këtë cështje.”

Sipas dokumentarit, me shtimin e ndikimit politik të korporatave amerikane, Nader e ndjente se si Partia Demokrate, edhe ajo Republikane e kishin zhgënjyer publikun ameriikan.

"Kemi nevojë për një sistem shumëpartiak në këtë vend. Sepse ne nuk kemi një qeveri nga populli dhe për popullin. Ne kemi qeveri për kompanitë si Eksoni, General Motors, Dyponët”.

Ky perceptim e çoi Naderin deri tek arena e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2000.

“Gore duhet ta kuptojë se duhet t’i fitojë me punë votat, po ashtu Bush, gjithashtu edhe unë. Asnjë nuk i ka votat të sigurta”.

Kandidati demokrat për president, Al Gore, i humbi zgjedhjet para kandidatit republikan Bush, me një diferencë të ngushtë votash. Askush nuk ishte më i zemëruar me Ralph Naderin se sa demokratët. Ata mendonin se ai duhet të ishte tërhequr nga gara presidenciale dhe të kishte mbështetur Al Gore. Ata e cilësuan atë të pandershëm, që nuk respekton etikën dhe megaloman.

Por as në publik dhe as privatisht, Ralph Nader nuk shprehu asnjëherë keqardhje. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Nader tha se nuk shikon ndonjë ndryshim mes demokratvve dhe republikanëve.

“Të dyja partitë, me ligjet që kanë miratuar që kundërshtojnë një parti të tretë, në fakt kanë përçuar mesazhin e pakënaqësisë mes zgjedhësve. “ Ju pushoni, vetëm njëri prej dy kandidatëve kryesorë do të fitojë”. Kjo nuk është një shoqëri demokratike”.

Kjo është arsyeja përse Ralph Nader thotë se ai nuk e sheh partinë demokrate si aleate, apo si alternativë të besueshme politike. Ai e quajti partinë Demokrate “Të keqen më të vogël mes dy të këqijave”.

Ish-ligjvënësi demokrat Tom Downsey thotë se në se Al Gore do t’i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2 mijë, bota sot do të ishte ndryshe.

“Ne nuk do të ishim sot në luftë me Irakun, nuk do të kishim deficitet buxhetore që kemi sot, imazhi ynë para botës do të ishte shumë i ndryshëm. Pra është e drejtë të thuhet se ngaqë ai vendosi të kandidojë në zgjedhjet presidenciale, bota shkoi në drejtimin e gabuar.

Pavarësisht se nuk bën njeri përgjegjës, dokumentari “Njeriu i paarsyeshëm” nuk mban anë. Por ai i ndihmon njerëzit të kuptojnë se kush është Ralph Naderi dhe përse ai veproi në këtë mënyrë./al/

XS
SM
MD
LG