Lidhje

Një ish senator amerikan flet për rrezikun e sulmeve bërthamore


Ish senatori amerikan Sam Nunn ia ka kushtuar pjesën më të madhe të karierës së tij uljes së kërcënimt global nga armët e shkatërrimit në masë. Aktualisht ai është bashkëkryetar i Nismës së Kërcënimit Bërthamor, një grup privat që përpiqet për ulen e kërcënimeve të tilla nëpër botë. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Nunn shpreh shqetësimin se rreziku për një sulm të tillë është në rritje.

Më shumë se 15 vjet më parë, Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi Programin për Uljen e Kërcënimit të Përbashkët. Ligji parashikon financimin e shteteve të ish Bashkimit Sovjetik për çmotimin e armëve bërthamore, biologjike dhe kimike.

Që nga fillimi i zbatimit të këtij programi, mijra mbushje bërthamore janë çmontuar dhe qindra raketa balistike ndërkontinentale janë shkatërruar.

Ish senatori, Sam Nunn, ishte bashkë sponsorizues i ligjit në bazë të të cilit u krijua ky program. Tani ai është bashkëkryetar i Nismës për Kërcënimin Bërthamor, një organizatë që punon për pakësimin e rrezikut nga armët e shkatërrimit në masë.

“Aftësitë e tanishme për të zbuluar ose mësuar se si prodhohet një armë bërthamore dhe përhapja e këtyre njohurive tek shumë individë nëpër botë, është diçka krejt tjetër nga ajo që ne kishim përballë 20 vjet më parë. Duke i marrë të gjitha këto sëbashku, kemi të bëjmë me një situatë shumë të rrezikshme”.

Zoti Nunn thotë se më shumë se 40 vende kanë tani mjaft uranium të pasuruar për të prodhuar një armë bërthamore dhe rritja e terrorizmit global shton mundësinë e një sulmi bërthamor.

Ai thotë se vende të tilla si Irani dhe Koreja e Veriut, po e bëjnë komunitetin ndërkombëtar të humbasë durimin duke prodhurar teknologji bërthamore dhe rezervat e pambrojtura mirë të materialeve për prodhimin e armëve bërthamore janë të përhapura kudo në botë.

“Prandaj hapi i parë është sigurimi i materialeve të tilla kudo që të jetë nëpër botë. Për këtë duhet bashkëpunimi i shumë vendeve të botës. Siç e shikoj unë, ne kemi përballë garën e bashkëpunimit me katastrofën dhe tani për tani rezultati nuk është i qartë”.

Zoti Nunn thotë se mundësia e konfliktit mes fuqive të mëdha, kryesisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, ra rënë ndjeshëm.

Megjithatë, thotë ai, vendet me apo pa armë bërthamore duhet të përqafojnë vizionin e një bote pa armë bërthamore.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga armët bërthamore në qoftë se vendet e tjera nuk e bëjnë një gjë të tillë, dhe kjo është e vlefshme për të gjitha vendet që kanë armë të tilla. Por në qoftë se të gjitha vendet që kanë armë të tilla këmbëngulin se do t’i mbajnë ato përgjithmonë, ne do të kemi shumë më tepër shoqëri në qarqet tona. Unë nuk dua që t’u lë fëmijëve dhe nipërve dhe mbesave të mia një botë të tillë”.

Zoti Nunn thotë se vendet duhet të dyfishojë përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve rajonale, që rajone të tilla të botës si Lindja e Mesme, Azia jugperëndimore dhe Gadishulli Korean, të jenë më pak të motivuara për të zotëruar armë bërthamore.

Ai thotë se mundësia e konfrontimeve krijon tensione që i japin formë strategjisë së sigurimit për gjithë botën.

//iç//

XS
SM
MD
LG