Lidhje

SHBA: Qeveritë lokale dhe ndikimi i qytetarëve

  • Xhefri Jang

Në Shtetet e Bashkuara, qeveria qëndrore federale këtu në Uashington është e ndarë në 3 degë: ekzekutive, legjislavite dhe ajo juridike. Por me që Shtetet e Bashkuara janë të ndara në 50 shtete, janë pikërisht këto shtete dhe distriktet brënda tyre që ndikojnë më shumë në jetën e përditshme të amerikanëve. Madje për shumicën e amerikanëve, qeveritë në qytetet apo rajonet e tyre, të njohura si komuna, janë qeveritë me të cilat ata komunikojnë më së shumti. Dhe bashkë me këto qeveri lokale ekzistojnë edhe grupe qytetarësh, të cilët i kërkojnë këtyre qeverive të bëjnë ndryshime, që synojnë të përmirësojnë jetën e tyre.

Komuna e Montgomerit në shtetin e Merilandit shtrihet paksa në veri dhe perëndim të kryeqytetit amerikan Uashington. Ajo ka gati një milion banorë dhe popullsia vazhdon të rritet.

Komuna ka pamje të ndryshme në pjesë të ndryshme në sipërfaqen prej 1 mijë e 300 kilometrash katrorë.

“Pjesa veriore e komunës është fermë, është pjesa rurale e komunës, megjithëse lagje banimi po ndërtohen gjithnjë e më në veri. Por pjesa jugore e komunës është shumë urbane, thuajse njëlloj si Uashingtoni.”

Për këtë arsye, komuna e Montgomerit përballet me probleme të qyteteve të mëdha si trafiku dhe ndërtimet e vazhdueshme.

Lagjet e komunës pasqyrojnë një gamë të gjerë të ardhurash familjare. Shtëpitë janë të ndryshme si nga madhësia edhe mënyra e ndërtimit. Disa janë të reja, disa të tjera janë ndërtuar para një shekulli. Por çdo banor pavarësisht nga shtëpia apo lagjja ku banon është i interesuar në sigurinë publike, arsimin e mirë për fëmijët dhe mundësitë për ta bërë jetën e familjes më të mirë.

Banorët e komunës së Montgomerit vijnë nga pjesë të ndryshme të botës, duke sjellë me vete gjuhën, kulturën dhe besimin e tyre fetar.

“Njëri prej fqinjëve të mij është anglosakson, një është nga Lindja e Mesme dhe një tjetër nga Kina. Ne jemi me origjinë nga India. Pra komuna jonë ka një popullsi të shumëllojshme.”

Kjo përzjerje nga e gjithë bota i jep gjallëri jetës në komunë. Montgomeri ka qeverinë e vet lokale ashtu siç kanë qeveritë e tyre edhe qytetet në komunë si Rokvilli. Këto qeveri lokale, dhe jo qeveria federale në Uashington, sigurojnë ndërtimin e shkollave, rrugëve, bibliotekave publike dhe gjëra të tjera të përdorimit të përditshëm. Këto qeveri lokale krijojnë kontakte me banorët nëpërmjet mbledhjeve të hapura, ndërkohë që gazetat dhe mediat e tjera mbulojnë çështjet me të cilat përballet komuna.

Por në komunën e Montgomerit, përveç banorëve dhe qeverisë, ka grupe qytetarësh, që punojnë për të ndihmuar të tjerët, qoftë për të krijuar argëtim, për të siguruar pjesëmarrje në zgjedhje apo për të ndarë ushqime me të varfërit.

“Banorët ndihmojnë banorët e tjerë. Kjo është domethënia e fjalës ‘komunitet’.”

Në se bëhet fjalë për ndihmë direkte apo kontakte me qeveritë lokale për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme në komunën e Montgomerit dhe në qytetin e Rokvillit, banorët janë të angazhuar në veprimtari të ndryshme për të përmirësuar jetën e tyre të përditshme. //ze//

XS
SM
MD
LG