Lidhje

Shtetet e Bashkuara po ndjekim me vemendje zhvillimet në Rusi


Shtete e Bashkuara thonë se po ndjekim me vemendje zhvillimet lidhur me goditjen e policisë ruse ndaj grupit të protestuesve kundër Kremlinit dhe medias pikërisht para zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve të përgjithëshme.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se ky zhvillim ngre pyetjen nëse opozita në Rusi ka kushtet të shprehë lirisht dhe në mënyrë paqësore mendimet e saj në kuadrin e këtyre zgjedhjeve të kontestuara.

Ndërkohë, zyrtarë të Bashkimit Evropian shprehën shqetësim të madh lidhur me shtypjen e protestave anti Kremlinit në Shën Pitërsburg dhe në Moskë. Një zëdhënëse e BE-së tha se liria e fjalës dhe e mbledhjes janë vlera të rëndësishme, që Rusia pranoi të respektojë si anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe e Këshillit të Evropës.

Në Berlin, një zëdhënës i qeverisë e quajti goditjen të papranueshme dhe tha se Gjermania pret një shpjegim nga Moska. Aktualisht Gjermania mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Agjencia e lajmeve Reuters citon zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov, t’i ketë përshkruar veprimet e policisë si përpjekje për të ndalur ultra-radikalët që të mos prishnin rendin dhe qetësinë. Ai tha se protestuesit jo gjithmonë kanë respektuar rregullat kur kanë marrë leje për manifestime të tilla.

Dje, policia ruse sulmoi përkrahësit e opozitës në Shën Pitërsburg gjatë një proteste anti-Kremlinit. Të shtunën, rreth 120 veta u arrestuan, përfshirë edhe një udhëheqës të organizatës kundër presidentit Putin, Rusia Tjetër, e cila udhëhoqi një protestë të ngjashme në Moskë. //ze//

XS
SM
MD
LG