Lidhje

Të paktën 31 të vrarë në një universitet të Virxhinias, ngjarja më e rëndë në një kampus amerikan në dekada


Një person i armatosur vrau të paktën 30 vetë në një universitet të Virxhinias, ngjarja më e rëndë për një kampus amerikan në dekada.

Shefi i policisë së universitetit Virginia Tech u tha gazetarëve se një numër njerëzish janë plagosur, disa në gjendje të rëndë dhe janë çuar për trajtim në spitale.

Mes viktimave ishin studentë që u qëlluan në klasat e tyre. Personi që besohet të ketë kryer sulmin i vetëm është gjithashtu mes të vdekurve, ndërsa policia po përpiqet të përcaktojë në se ai vrau veten ose u qëllua nga oficerë të policisë. Zyrtarët nuk e dinë ende motivin e vrasjeve.

Të shtënat ndodhën sot në mëngjes në dy zona të veçanta të kampusit të madh, dy orë larg nga njëra tjetra. Incidenti i parë ishte në një godinën studentore dhe një tjetër në ndërtesën e klasave.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, tha se presidenti Bush ishte tmerruar nga lajmi dhe shprehu shqetësim të madh për viktimat dhe familjet e tyre, studentët, profesorët dhe të gjithë ata njerëz që përjetuan këtë incident.

Presidenti i Virginia Tech Charles Steger tha se universiteti është goditur nga një tragjedi madhore. Ai e quajti incidentin të pakuptimtë dhe ngjarje të neveritshme. Zoti Steger tha se klasat janë anuluar për sot dhe nesër dhe shërbimet këshilluese për studentët e traumatizuar janë në dispozicion.

Kampusi në Blacksburg është tani i siguruar pasi policia kërkoi për orë të tëra për një person të dytë. Në kohën e incidentit, faqja elektronike e universitetit Virginia Tech i paralajmëroi stuedentët të qëndronin brenda dhe të mbyllnin dyert mirë.

Virginia Tech është një universitet shtetëror me gati 26 mijë studentë dhe ndodhet në pjesën jugperendimore të shtetit të Virginias, rreth 380 kilometra larg kryeqytetit amerikan, Uashington. //ze//

XS
SM
MD
LG