Lidhje

Prokurori Ndërkombëtar: Policët rumunë përgjegjës për vdekjet e protestuesve në Kosovë


Një prokuror ndërkombëtar në Kosovë i cili po merret me hetimin e ngjarjeve të 10 shkurtit ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën disa të tjerë, doli sot me përfundimin se një ose dy nga policët rumunë kanë shtënë plumbat plastikë fatalë apo pothuajse fatalë të asaj dite. Prokurori Robert Dean, i cili publikoi sot raportin e tij fillestar për ato ngjarje, tha se vdekjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit ishin të panevojshme dhe mund të mënjanoheshin.

Prokurori ndërkombëtar i cili është marrë me hetimin e ngjarjeve të 10 shkurtit, me atë që ndodhi gjatë protestës së lëvizjes Vetëvendosje, gjatë së cilës vdiqën dy persona të qëlluar me plumba plastikë dhe dy të tjerë u plagosën më rëndë, publikoi sot raportin e tij fillestar, i cili i është dorëzuar edhe Kryeadministratorit ndërkombëtar të Kosovës Joakim Rucker. Prokurori ndërkombëtar Robert Dean, tha në përfundimet e raportit të tij se dëshmitë e deritshme kanë cuar në përfundimin se vdekjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit ishin të panevojshme dhe mund të mënjanoheshin. “ Në mënyrë specifike, arrijmë në përfundimin se vdekjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, dhe plagosja e Zenel Zenelit, duket se kanë qenë të panevojshme dhe të mënjanueshme”, tha zoti Dean, i cili në raportin e tij, nënvizon se duket se nuk ka justifikim për të qëlluarën në kokë të Mon Balajt dhe në kokën e Arben Xheladinit, apo në kraharorin e Zenel Zenelit. “Synimet e planit operacional ishin për të mbrojtur ndërtesat dhe për të kontrolluar turmën”, thotë zoti Dean duke theksuar se plagosjet fatale apo pothuajse fatale u bënë nga një distancë e konsiderueshme nga ndërtesa e qeverisë që duhej mbrojtur.

Prokurori del gjithashtu me konkluzionin se përdorimi i plumbave plastikë në përgjithësi atë ditë mund të ketë qenë “një këshillë e keqe dhe e papërshtatshme, duke marrë parasysh rrethanat”. Prokurori ndërkombëtar specifikon gjithashtu se sipas dëshmive të deritashme, plumbat plastikë fatalë apo pothuajse fatalë, janë qëlluar nga një ose dy nga 10 policët rumunë që ishin atë ditë në protestë. Policët rumunë nuk janë tashmë në Kosovë, por janë kthyer në Rumani. Zoti Dean tha gjithashtu se mund të shihet mundësia e kompensimit për familjet e viktimave dhe të plagosurve rëndë të asaj dite nga UNMIK-u, OKB-ja dhe qeveria e Rumanisë. //rd//

XS
SM
MD
LG