Lidhje

Masakra në "Virgina Tech" shtron debatin e ligjit për armëmbajtje


Tragjedia që ndodhi të hënën në një universitet publik të Virxhinias këtu në Shtetet e Bashkuara, ku një student i armatosur vrau 32 vetë me armë zjarri dhe pastaj veten, është cilësuar si incidenti më i rëndë i këtij lloji në historinë amerikane. Masakra në Universitetin Virxhinia Tek ka rihapur debatin për ligjet amerikane të armëbajtjes.

Një student me kamerën e telefonit celular shikon policët të afrohen dhe dëgjon të shtëna brenda një ndërtese ku po ndodhte masakra e tmerrshme. Në incidentin e së hënës u vranë 33 vetë, 32 studentë e pedagogë dhe vetë protagonisti i cili bëri vetvrasje. Tragjedia në Virxhinia Tek u kujtoi njerëzve raste të tjera të ngjashme në shkollat amerikane.

Tetë vjet më parë po në muajin prill, dy djem në shkollën e mesme Columbine të Kolorados vranë 12 studentë dhe pedagogë. Tetorin e kaluar, një person i armatosur vrau gjashtë vajza në një shkollë të sektit amish në një zonë rurale të Pensilvanisë.

Pas ngjarjes së ditës së hënë në Virxhinia, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino tha se Presidenti Bush vazhdon të besojë në të drejtën kushtetuese që kanë amerikanët për të mbajtur armë në përputhje me ligjin: "Nëse ka ndonjë ndryshim në politikën e Presidentit, ne do t’ju njoftojmë. Por ne vazhdojmë të kemi një politikë të pandryshuar e cila garanton se Departamenti i Drejtësisë do të zbatojë të gjitha ligjet ekzistuese për armët e zjarrit dhe do të ndjekë me tërë forcën shkelësit e këtyre ligjeve."

Policia thotë se personi që shkaktoi tragjedinë në Universitetin Virginia Tech ishte 23-vjeçari Cho Seung-hui, i lindur në Korenë e Jugut por banues në Shtetet e Bashkuara që nga fëmijëria. Cho kishte të drejtë me ligj të blinte një pistoletë sepse nuk ishte shpallur ndonjëherë fajtor për veprimtari kriminale.

Organizata më e njohur në Amerikë që është kundër ligjeve të cilat e kufizojnë armëmbajtjen është Shoqata Kombëtare e Armëve. Zëdhënësi i saj, Bill Powers, thotë se armëmbajtja është një e drejtë themelore e qytetarit amerikan, siç sanksionohet edhe në kushtetutën e vendit: "Ka politikanë, grupe lobiste të interesave të caktuara të cilët nuk e duan Amendamentin e Dytë të Kushtetutës, nuk i kanë qejf ata që mbajnë armë, pavarësisht se sa të ligjshëm dhe paqësorë janë ata. Ata nuk i duan armët, nuk u pëlqen historia dhe tradita e lavdishme e lirisë që përcakton Amendamenti i Dytë si dhe Billi i të Drejtave, që janë pjesë e formimit të këtij vendi."

Ndërsa Nancy Hwa përfaqëson organizatën Handgun Control, e cila kërkon ligje më të rrepta për mbajtjen e armëve: "Po të shikosh terminologjinë e përdorur në Amendamentin e Dytë, aty flitet për “milicinë e rregulluar me ligj”, e cila sot është Garda Kombëtare. Pra ky amendament i referohet Gardës Kombëtare dhe jo që çdo qytetar të ketë të drejtën të mbajë deri armë të tilla si mitralozë të tipit Uzi", zonja Hwa.

FBI-ja thotë se deri nga fundi i vitit 2005, nga kontrollet që u janë bërë sipas ligjit personave që kanë kërkuar të blejnë armë, rreth gjysmë milioni njerëz e kanë patur të pamundur të blejnë armë zjarri. Agjencitë amerikane të antikrimit kanë kontrolluar të kaluarën e mbi 50 milion amerikanëve që kanë kërkuar leje për blerje armësh. //rd//

XS
SM
MD
LG