Lidhje

Shencëtarët njoftojnë rënie të rasteve të reja të kancerit të gjirit


Shkencëtarët thonë se numri i rasteve të kancerit të gjirit në Shtetet e Bashkuara ra ndjeshëm në vitin 2003. Kjo rënie pason një zbulim që i lidh terapitë për zëvendësimin e hormoneve me shtimin e numrit të kancerit të gjirit dhe llojeve të tjera të kancerit tek gratë.

Në një raport të posaçëm të botuar këtë javë në Revistën Mjekësore New England Journal, një ekip studjuesish arritën në përfundimin se numri i rasteve të reja të kancerit të gjirit ra thuajse 7 për qind në vitin 2003 krahasuar me vitin 2002, dhe qëndroi në këto nivele më të ulëta gjatë 2004-s.

Kjo rënie nënkupton se në vitin 2003 dhe 2004 u diagnostikuan 44 mijë raste më pak me kancer në gji. Para këtij studimi, Shoqata Amerikane e Kancerit pat njoftuar se çdo vit diagnostikoheshin rreth 300 mijë raste të reja me kancer në gji.

Rënia në rastet e reja të kancerit u zbulua nga një studim i gjerë i njohur si Nisma për Shëndetin e Gruas. Studimi kishte në shenjestër 16 mijë pjesëmarrëse dhe shqyrtonte nëse terapitë për zëvendësimin e hormoneve parandalojnë sëmundjet e zemrës tek gratë në periudhën pas menopauzës. Studimi mbi terapinë për zëvendësimin e hormoneve u ndalua në vitin 2002 kur u arrit në përfundimin se këto ilaçe rrisnin prirjet për kancer në vezore. Miliona gra ndalën marrjen e ilaçeve.

Peter Ravdin është onkologjist në Qendrës Mjekësore Anderson në Hjuston të Teksasit dhe autor i studimit të botuar në Revistën Mjekësore New England Journal, ku nënvizohet rënia e ndjeshme në rastet e reja të kancerit të gjirit. Në retrospektivë, thotë ai, ky zbulim nuk është aspak i papritur. Rezultatet e Nismës për Shëndetin e Gruas të vitit 2002 tregojnë se gratë pas periudhës së menopauzës, të cilat kishin marrë për 5 vjet apo më shumë terapinë për zëvendësimin e hormoneve, ishin më të rrezikuara nga kanceri. Zoti Ravdin thotë se edhe ky përfundim nuk ishte i papritur:

"Një nga dilemat që më çudisin më shumë në punën që bëj është ndikimi i një produkti të natyrshëm. Si mundet që një kimikat që gjendet normalisht në trupin e gruas, t’i bëjë asaj dëm? A nuk është normale që gruaja të ketë hormonin estrogjen në trupin e saj? Është, por ndoshta jo për një grua mbi moshën 60 vjeç," thotë specialisti.

Ndërkaq, në një artikull të botuar në revistën mjekësore britanike The Lancet, shkencëtarët e angazhuar në një studim që ndiqte reagimin e 1 milion grave në periudhën pas menopauzës për 15 vjet radhazi, njofton për rreth 1 mijë vdekje që mendohet se janë rezultat i terapisë për zëvendësimin e hormoneve. //ad//

XS
SM
MD
LG