Lidhje

Francezët në votime për Presidentin e ardhshëm të vendit


Sot zhvillohet raundi i parë i votimeve për zgjedhjet presidenciale të Francës. Dy kandidatët kryesorë janë në një garë të fortë, por një numër i madh votuesish ende nuk kanë vendosur për kë do të votojnë.

Votuesit francezë kanë pasur kohë të gjatë për të zgjedhur kandidatin e tyre të preferuar gjatë fushatës së pandërprerë presidenciale gjatë muajve të fundit. Por nga fundi i javës afro 40 për qind thonë se ende nuk kanë vendosur.

Shumë votues thonë se ndjehen të zhgënjyer nga fushatas. Clement Selier është një 26-vjeçar me profesion ekonomist: "Nga këndvështrimi im, kandidatët e ndryshëm nuk u përqëndruan në problemet reale, por thjesht në përpjekjet për të marrë postin e Presidentit. Është për të ardhur keq."

Shumë vëzhgues thonë se problemet kryesore me të cilat përballet Franca janë papunësia e lartë dhe tensionet ndërmjet francezëve dhe imigrantëve.

Ka gjithësej 12 kandidatë, por vetëm 4 prej tyre konsiderohen si konkurentë me shanse reale. Ish-ministri i brendshëm Nikola Sarkozi gëzon imazhin e një udhëheqësi të fortë, si rezultat i përgjigjes që u dhanë forcat e rendit trazirave të vitit 2005 në periferitë e Parisit me popullsi imigrante. Ai është kritikuar pasi admiron Shtetet e Bashkuara. Rivalja e tij më e fortë është kandidatja socialiste Segolen Ruajal. Nëse fiton, kjo do të shënojë të parën herë që një femër merr Presidencën e Francës.

Dy kandidatët e tjerë kanë së paku potencialin për t’u prishur punë pretendentëve kryesorë. Fransua Beru është centrist dhe premton të bashkojë të djathtën dhe të majtën. Zhan Mari lë Pen udhëheq partinë Fronti kombëtar me pikëmaje të djathta ekstreme. Ai synon të ndalë imigracionin plotësisht.

Një numër më i madh se zakonisht janë regjistruar për të votuar, veçanërisht në zonat e varfëra me popullsi të madhe imigrante. Nëse asnjë nga kandidatët nuk fiton shumicën e votave në zgjedhjet e sotme, dy kandidatët me numrin më të madh të votave do të konkurojnë me njëri-tjetrin në balotazh më 6 maj. //ad//

XS
SM
MD
LG