Lidhje

Shtohet indinjata për publikimin e videos për vrasësin në Virxhinia Tek


Pas masakrës së javës së kaluar në Universitetin Virxhinia Tek këtu në Shtetet e Bashkuara, masakra më e rëndë r këtij lloji në historinë e vendit, është intensifikuar debati nëse media duhet t’i transmetonte apo jo imazhet që i kishte dërguar vrasësi një kanali televiziv amerikan. Disa thonë se transmetimi i videos së 23-vjeçarit Cho Seung-hui ishte një vendim i pamenduar mirë dhe sensacional, ndërsa të tjerë thonë se ajo paraqet psikologjinë e vrasësit.

Ndërkohë që janë shtuar memorialet e përkohëshme për viktimat e vrasjes më të rëndë në masë në historinë e Shteteve të Bashkuara, është shtuar edhe vemendja që i ka kushtuar media vrasësit, duke përfshirë edhe videon tashmë të njohur që ai i dërgoi kanalit televiziv NBC. Studentja Rana Fayez, thotë se imazhet nuk duhet të ishin transmetuar: “Njerëzit që i transmetuan ato nuk kanë jetuar këtu. Ata nuk i njohin njerëzit dhe nuk ndjejnë atë që ndjejmë ne. Ata nuk e kuptojnë se po na shtojnë dhimbjen duke i transmetuar vazhdimisht”, thotë studentja.

Vendimi për transmetimin e videos i ka indinjuar të afërmit e viktimave. Zyrtari i Virxhinia Tekut, Edward Spencer, thotë se mbulimi intensiv i aktit e bën edhe më të rëndë një javë tejet të dhimbshme: “Mendoj se kjo e bën edhe më të rëndë gjendjen. Asgjë e mirë nuk ka ardhur nga transmetimi i kësaj videoje”.

Zyrtarët e rendit thonë se videoja nuk ka luajtur ndonjë rol me vlerë në hetime, por Thomas McIntyre, ekspert i incidenteve të të shtënave nëpër shkolla thotë se ajo ofron të dhëna për psikologjinë e vrasësit: “Cho, si dhe vrasës të tjerë nëpër shkolla, e shikonte veten si viktimë. Ai e shikonte veten si viktimë dhe akti i tij ishte hakmarrën ndaj atyre që ai mendonte se i kishin shkaktuar dhimbje”.

Por të tjerë argumentojnë se aktet e një skicofreni mund të nxisin të tjerë të bëjnë të njejtën gjë. Jerald Newberry është Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Arsimit: “Duke i transmetuar imazhet që i kemi parë për orë të tëra, jemi duke dhënë mesazhin se në qoftë se dikush është i sëmurë psikik, në vend që të trajtohet si i tillë, mund të dalë e të vrasë dikë dhe të bëhet hero”.

Psikiatri Conrad Daum e quan këtë sjellje imituese. “Është fakt që kjo ndodh zakonisht në situata të tilla, veçanërisht në rastin e kësaj ngjarjeje kaq të pazakontë”. Dhe Dr. Daum mund të ketë të drejtë. Javën e kaluar policia e Kalifornisë arrestoi një 28-vjeçar që u tha afërmve të tij se “do t’i bënte vrasjet në Virxhinia Tek të dukeshin të lehta”.

Në Nevada, policia arrestoi një tjetër individ që bëri kërcënime të ngjashme në kompleksin e Universitetit Reno. Ndërsa në Tenafly të New Jersey-it, zyrtarët e arsimit mbyllën të gjitha shkollat, pas një kërcënimi për shpërthim bombe.

Megjithëse imitimi i akteve është një shqetësim real, shkrimtari Bernard Goldberg i tha Zërit të Amerikës se edhe ai do t’a kishte transmetuar videon e Cho-së. Ish korrespondenti i CBS-it tha se ndonjëherë vendimet janë të vështira, por media e ka për detyrë ta informojë publikun: “Në qoftë se jeton në një vend të lirë, në një vend demokratik ku informacioni është ai që e bën atë të lirë, rëmbimet e avionëve për shembull duhen mbuluar. Ngjarje të caktuara duhen mbuluar edhe në qoftë se ndonjëherë ato do të imitoheshin”. Paketa që Cho i dërgoi NBC-së përmbante një deklaratë 23 faqesh, video dhe fotografi si dhe referenca për vrasësit adoleshntë në shkollën e me mesme Kolumbainë në Kolorado më 20 prill 1999. Videoja është transmetuar nga të gjitha kanalet kryesore televizive amerikane. Cho u referohet atyre si "martirë" dhe ekspertët e kriminalistikës thonë se ai vetë ishte një vrasës që imitoi aktet e të tjerëve. //rd//

XS
SM
MD
LG