Lidhje

Delegacioni i Këshillit të Sigurimit në Bruksel


Ambasadorët e Këshillit të Sigurimit ndodhen në Bruksel për bisedime me zyrtarë të lartë të Natos dhe të Bashkimit Evropian lidhur me propozimin e kryengociatorit Marti Ahtisari për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikqyrur. Delegacioni do të vizitojë më pas Beogradin, Prishtinën dhe Vjenën para se të kthehet në Nju Jork.

Delegacioni i Këshillit të Sigurimit ndodhet në Bruksel, ndalesa e parë e një misioni që synon mbledhjen e informacionit para se të merret një vendim nëse do të miratohet ose jo propozimi Ahtisari. Kryetari i delegacionit është ambasadori belg në Kombet e Bashkuara, Johan Verbeke:

"Ne e filluam me Brukselin sepse do të dëgjojmë çdo të na thotë sekretari i përgjithshëm i Natos, Jap de Hup Skefer si dhe zyrtarët e Këshillit të Bashkimit Evropian. Meqenëse zoti Havier Solana nuk do të jetë në Bruksel, takimi do të bëhet me Këshilltarin e tij të posaçëm për çështjet ballkanike, Stefan Lehne. Pra, do të kemi takime për informime në hollësi si në dimensionin evropian ashtu edhe në atë të Natos për çështjen e Kosovës", tha zoti Verbeke.

Në delegacion bën pjesë edhe ambasadori i ri amerikan në OKB, Zalmay Khalilzad, për të cilin kjo është java e parë e punës në organizatën botërore. Ai e ka quajtur pjesmarrjen e tij shenjë të rëndësisë që Uashingtoni i jep kësaj çështjeje.

Ishte Rusia ajo që kërkoi vizitën e delegacionit të Këshillit të Sigurimit në rajon dhe anëtar i delegacionit është edhe ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin. Rusia e kundërshton me forcë planin Ahtisari. Dje, ambasadori Çurkin shprehu shqetësim rreth gjendjes së sigurisë për komunitetet pakicë në Kosovë.

Para takimit të delegacionit me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos, de Hup Skefer, zëdhënësi i aleancës, James Aparthurai u tha gazetarëve se zoti de Hup Skefer dëshiron që Këshilli i Sigurimit të shprehë sa më shpejt mbështetjen për planin Ahtisari:

"Delegacioni ndodhet këtu për të mbledhur informacione mbi Kosovën dhe NATO-ja është mjaft e angazhuar atje. Siç e dini, ne kemi në Kosovë rreth 16 mijë trupa. Sekretari i Përgjithshëm do të paraqesë vlerësimin e tij për gjendjen e sigurisë, do të japë gjithashtu vizionin e tij, vizion e NATO-s lidhur me faktin se si e shikon Aleanca mbështetjen për procesin politik. Zoti de Hup Skefar dhe Natoja dëshiron që në Këshillin e Sigurimit të miratohet sa më shpejt një rezolutë e bazuar në planin Ahtisari, për ta çuar përpara procesin", tha zoti Aparthurai.

Vizita gjashtëditëshe e delegacionit do të përfshijë bisedime me udhëheqës të Serbisë, me krerët e qeverisë së përkohëshme të Kosovës dhe me udhëheqës të komuniteteve pakicë në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG