Lidhje

Rajs: Sistemi mbrojtës nga raketat në Evropë nuk përbën kërcënim për Rusinë


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs i quajti sot si “qesharake”, shqetësimet e Rusisë, se sistemi amerikan i mbrojtes nga raketat për Evropën, do të vinte në rrezik strategjinë bërthamore ruse. Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia do të tërhiqej nga traktatet e kontrollit të armëve për Evropën Qendrore për shkak të kësaj çështjeje.

Administrata e Presidentit Bush ka bërë përpjeje të mëdha për të qetësuar shqetësimet e Rusisë rreth planit mbrojtës nga raketat, por Moska vazhdon të kundërshtojë, dhe tani po kërcënon të tërhiqet nga traktati i vitit 1990, që kufizon numrin e forcave konvencionale në Evropë.

Shtetet e Bashkuara po negociojnë me Poloninë dhe Republikën Çeke për vendosjen e 10 sistemeve interceptuese në Poloni si dhe të një sistemi radarësh në territorin e Çekisë.

Administrata e Presidentit Bush thotë se sistemi anti-raketë do të vihet në funksionim brenda 5 vjetësh dhe synon neutralizimin e raketave individuale ose të disa raketave të vogla të lëshuara njëkohësisht kundër Evropës ose Shteteve të Bashkuara nga vende si Irani, ose shtete të tjera të papërgjegjshme.

Rusia thotë se sistemi mund t’i kundërvihet arsenalit të saj strategjik të raketave dhe mund të bëhet shkas për një garë të re armësh.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se ky sistem i kufizuar mbrojtës, në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojë mbi aftësinë e Rusisë për të frenuar vende të tjera të përdorin raketat bërthamore. Duke folur në takimin e Natos në Oslo, Sekretarja e Shtetit dukej e nervozuar nga qëndrimi i Rusisë.

“Le të jemi realistë për këtë. Ideja se 10 sisteme interceptimi dhe disa radarë në Evropën Lindore do të kërcënonin strategjinë bërthamore ruse, është thjesht qesharake dhe të gjithë e dinë këtë. Rusët kanë mijëra mbushje bërthamore. Ideja se strategjia bërthamore ruse do të ndalohej me disa interceptuesh raketash, është plotësisht e pabazë".

Zonja Rajs tha se administrata e Presidentit Bush është e gatshme të shpenzojë gjithë kohën e nevojshme, siç u shpreh ajo, “për të çmitizuar”, rrezikun e sistemit siç pretendon Moska. Por ajo shtoi se kjo duhet bërë mbi baza realiste dhe jo mbi argumente të viteve ’80-të.

Në Moskë, ndërkohë, Presidenti Vladimir Putin në fjalimin e tij të fundit mbi gjendjen e vendit, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po synojnë të arrijnë avantazhe të njëanshme në sistemin e armëve dhe se po i zgjerojnë bazat duke iu afruar kufijve të Rusisë.

Zoti Putin tha se përgjigja e përshtatshme në kushte të tilla, do të ishte pezullimi i pranisë së Rusisë në Traktatin për Forcat Konvencionale në Evropë, të nënshkruar në vitit 1990.

Marrëveshja e arritur mes Natos dhe ish Traktratit të Varshavës në përfundim të Luftës së Ftohtë dhe e ndryshuar në vitin 1992, vendos kufizime të rrepta për vendosjen e tankeve, artilerisë dhe armëve të tjera në Evropën Qendrore.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Natos e kanë respektuar këtë traktat, ndonëse nuk e kanë ratifikuar atë, duke e kushtëzuar me tërheqjen e trupave të mbetura ruse në Gjeorgji dhe Moldavi.

Duke folur me gazetarët në Oslo, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Tom Kesi tha se nuk ka patur ndonjë njoftim zyrtar për tërheqjen e Rusisë nga traktati dhe ai theksoi qëndrimin amerikan se traktati vazhdon të jetë i vlefshëm për stabilitetin evropian.

“Këto janë marrëveshje ndërkombëtare të gjera. Traktati u intereson gjithë palëve që e kanë nënshkruar. Pa dyshim që ne duam që gjithë vendet pjesëmarrëse të respektojnë detyrimet e tyre. Shtetet e Bashkuara i kanë respektuar detyrimet që rrjedhin nga traktati”.

Zonja Rajs pati një takim me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili ishte në Oslo për të marrë pjesë në takimin e rregullt të Këshillit midis Natos dhe Rusisë.

Administrata e Presidentit Bush dërgoi Sekretarin e Mbrojtjes Robert Gejts në Moskë këtë javë për të diskutuar rreth sistemit mbrojtës dhe çështjeve që lidhen me të.

Zoti Gejts i ofroi Rusisë shkëmbimin e informacionit mbi sistemin mbrojtës nga raketat, përfshirë edhe kombinimin e sistemeve të radarëve të të dy vendeve. Megjithatë Ministri rus i Mbrojtjes, Anatoli Serdjukov, tha se Rusia ende e konsideron planin amerikan destabilizues. //iç//

XS
SM
MD
LG