Lidhje

DiKarlo: Pavarësia është zgjidhja e vetme e mundshme për Kosovën


Zëvëndës-ndihmës sekretarja e shtetit për Euroazinë, Rosmeri DiKarlo tha sot se plani Ahtisari është zgjidhja e vetme e mundshme për Kosovën. Zonja DiKarlo i bëri këto komente në një takim që pati sot me disa gazetarë në Departamentin e Shtetit, pas kthimit nga një vizitë në Rusi, ku para disa ditësh u zhvillua një takim i grupit të kontaktit.

Zëvëndës-ndihmës sekretarja e shtetit për Euroazinë, Rosmeri DiKarlo tha se Kosova mbetet një çështje e vështirë e pazgjidhur, të cilën Shtetet e Bashkuara duan ta zgjidhin këtë pranverë.

Zonja DiKarlo përsëriti qëndrimin amerikan se Shtetet e Bashkuara mbështesin me vendosmëri planin Ahtisari.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë planin e Presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës dhe funksionimin e saj. Ne mendojme se ai ka bërë një punë shumë të mirë për të ngushtuar hendekun mes dy palëve. Ne mendojmë se plani do të çojë në atë stabilitet që ne shpresojmë për Evropën Juglindore, duke i ndihmuar këto vende të përparojnë drejt integrimit të tyre në Nato dhe Bashkimin Evropian. Ne e mbështesim rekomandimin e tij për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. Pavarësia, duke marrë në konsideratë gjithë rrethanat historike, është zgjidhja e vetme e mundshme”.

Zonja DiKarlo tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht me Këshillin e Sigurimit, Grupin e Kontaktit si dhe me Serbinë e Kosovën për ta zgjidhur këtë çështje në të ardhmen e afërt.

“Zgjidhja e çështjesh së Kosovës do t’i bëjë të mundur Serbisë kapërcejë trashëgiminë e viteve 1990-të. Zgjidhja e çështjes së Kosovës do të lejojë si Serinë edhe Kosovën që të shikojnë nga e ardhmja. Ne jemi tani në fazën finale dhe vendimtare të planit Ahtisari”.

Shtetet e Bashkuara kanë punuar nga afër me Rusinë lidhur me një sërë çështjesh në vitet 90-të dhe veçanërisht gajtë dy viteve të fundit, që kur filloi diskutimi i çështjes së Kosovës. Zëvëndës-ndihmës sekretarja e shtetit DiKarlo tha se Rusia ka qënë një partnere shumë e vlefshme dhe shumë konstruktive. Nuk ka asnjë dyshim që ne kemi mendime të ndryshme lidhur me Kosovës, tha zonja DiKarlo. Rusia është shumë e interesuar për një zgjidhje nëpërmjet bisedimeve, ashti si edhe Shtetet e Bashkuara, shtoi ajo, por zgjidhja nëpërmjet bisedimeve nuk ka qënë e mundur, prandaj ne na duhet të ecim përpara. Zonja DiKarlo tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojnë negociatat me Rusinë për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe një zgjidhje të çështjesh së Kosovës.

“Shtyrja e procesit, vazhdimi i negociatave, nuk është në interesin as të Kosovës, as të Serisë e as të ndonjëv endi tjetër, përfshirë edhe Rusinë. Objektivi si i Shteteve të Bashkuara ashtu edhe Bashkimit Evropian është që çështja e Kosovës të zgjidhet këtë pranverë”.

Lidhur me misionin faktmbledhës të disa ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit në Beograd dhe Kosovë, zëvëndës-ndihmës sekretarja e shtetit, Rosmeri DiKarlo tha se ky mision nuk u ndërmor për të krijuar kushtet për negociata të reja, por për t’u dhënë të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit mundësinë që të kuptojnë më mirë situatën në teren, para se këto vende të votojnë për një rezolutë për statusin e Kosovës, që do të zëvëndësojë rezolutën 1244 për Kosovën. //ze//

XS
SM
MD
LG