Lidhje

Khalilzad: Statusi i Kosovës brenda disa javësh


Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Belgjikës, në Këshillin e Sigurimit, të Kombeve të Bashkuara, thanë se Kosova ka shënuar mjaft përparime gjatë tetë viteve të fundit dhe se një vendim për statusin e saj duhet të merret së shpejti. Ata i bënë këto komente pas takimeve që misioni i këtij këshilli zhvilloi me përfaqësuesit e institucioneve, partive politike dhe komuniteteve në Kosovë. Ambasadori amerikan Zalmay Khalilzad, tha se është shumë me rëndësi që procesi për Kosovën të përmbyllet suksesshëm, ndërsa nënvizoi se në Kosovë janë bërë mjaft përparime, por ka ende punë për të bërë.

“Çështja e statusit është çështje shumë e rëndësishme që duhet të zgjidhet dhe kjo do të ndodhë në javët që vijnë”, tha ambasadori amerikan.

Drejtuesi i misionit, Johan Verbeke, ambasador i Belgjikës në Këshillin e Sigurimit tha se tash jemi në prag të një vendimi shumë të rëndësishëm prandaj ishte e vlefshme për t'u informuar për zhvillimet në Kosovë.

“Ne do të shkojmë në New York, do të fillojmë konsultimet dhe do të shohim se si do të zhvillohen gjërat më tej”, tha ambasadori Verbeke.

Anëtarët e Ekipit të Unitetit u thanë ambasadorëve se pavarësia u garanton Kosovës dhe tërë rajonit paqe dhe qëndrueshmëri. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu shfaqi shpresën se muaji maj do të jetë shumë i rëndësishëm për përcaktimin e statusit të Kosovës. Ai tha se Kosova garanton trajtimin më të mirë të mundshëm të pakicave kombëtare.

“Kosova është e përkushtuar dhe e pa dilemë që do të ndërtojë një shtet demokratik dhe modern të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim në proporcionet e numrave, se është pakicë apo shumicë, por në këtë rast bie një barrë e veçantë mbi shumicën e përgjegjshme”, tha presidenti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se për përmbushjen e standardeve posaçërisht atyre që kanë të bëjnë me komunitetin serb, duhet angazhimi i këtyre të fundit por edhe mënjanimi i pengesave nga Beogradi.

“Serbët kanë pengesa të kthehen. Dhe pengesat nuk vijnë nga ne, por pengesat vijnë nga mënyra se si Serbia i trajton ata, se kush kthehet në Kosovë, apo kush integrohet në institucionet në Kosovë”, tha kryeministri Ceku.

Hashim Thaçi, kryetar i partisë demokratike tha se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme.

“Janë argumente të fuqishme, lufta që ka zhvilluar populli i Kosovës dhe gjenocidit që ka ushtruar Serbia në Kosovë. Prandaj ne theksuam qartë: për Kosovën dhe popullin e Kosovës është vetëm një zgjidhje, pavarësia e plotë. Kjo garanton paqe e stabilitet edhe në Kosovës edhe në rajon dhe është zgjidhja më e mirë edhe për SHBA-në edhe BE-në dhe gjithë botën demokratike”, theksoi zoti Thaçi.

Për kryetarin e partisë reformiste Ora, Veton Surroi, ekziston vetëm një opsion për zgjidhjen e çështjes së Kosovës që tashmë ndodhet në tryezën e Këshillit të Sigurimit. “I vetmi opsion që nuk është improvizues, i cili përmbyllë sovranitetin e Kosovës dhe i lejon Kosovës rrugën e vet në integrimet evropiane që është hapësira reale gjeografike e Kosovës”, theksoi zoti Surroi.

Ndryshe nga udhëheqësit shqiptarë Rangjell Nojkiq nga Lista serbe për Kosovën tha se propozimi për statusin është I papranueshëm. “Nuk ka asnjë serb që mendon se pavarësia është mundësi për jetën e tyre në këto hapësira. Ai tha se asnjë nga vërejtjet e bëra nga bashkësia serbe apo Beogradi nuk është pranuar, prandaj kjo flet qartë se bëhet fjalë për imponim dhe plani nuk do të pranohet”, theksoi zoti Nojkiq.

Misioni i Këshillit të Sigurimit po qëndron në Kosovë për të parë nga afër gjendjen në terren para se të hidhet për debat propozimi i kryenegociatorit Martti Ahtisaari i cili parasheh pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Në orët e mbrëmjes ambasadorët qëndruan në Mitrovicë, ndërsa më pas edhe në komunën e Obiliqit afër Prishtinës, por nuk kane bere ndonjë koment për gjendjen në qytetin e ndarë. Nesër ata do të qëndrojnë edhe në disa zona në Kosovën perëndimore para se t’i japin fund vizitës në Kosovë. //iç//

XS
SM
MD
LG