Lidhje

Përfundon misioni fakt-mbledhës në Kosovë


Një delegacion i Këshillit të Sigurimit e përfundoi sot misionin fakt-mbledhës në Kosovë, pasi vizitoi komunitetin shqiptar dhe atë serb të Kosovës.

Kryetari i delegacionit 15-anëtarësh, ambasadori belg Johan Verbeke tha sot se misioni ishte i sukseshëm, sepse mori më tepër informacion mbi gjendjen në Kosovë. Ai u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në aeroportin e Prishtinës se Këshilli i Sigurimit do të diskutojë për statusin e Kosovës, pa caktuar afate.

Më parë, shqiptarët e fshatit të Krushës së Vogël, skenë e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, e mirëpritën delegacionin. Ndërsa disa banorë serbë në qytetin e Rahovecit, i thanë delegacionit ata do të ndjeheshin të pasigurtë nga rreziku i dhunës, në se Kosova fiton pavarësinë. Delegacioni i OKB-së shkoi në Vjenë, për të diskutuar lidhur me përfundimet e misionit, me të dërguarin Marti Ahtisaari, i cili ka propozuar pavarësi të mbikqyrur nga ndërkombëtarët për Kosovën.

Udhëheqësit shqiptarë i kërkuan dje ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit që vizituan Kosovën, që të mbështesin pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Në një takim që pati mbrëmë me udhëheqësit shqiptarë dhe ata serbë, ambasadori belg në Kombet e Bashkuara, Johan Verbeke tha: "Jemi në prag të marrjes së vendimeve të rëndësishme në Nju Jork dhe nuk donim t’i ato merrnim në mënyrë sipërfaqësore, pa parë situatën në vend. Synimi i misionit tonë është të shohim me sytë tanë se si është realiteti në Kosovë", tha zoti Verbeke.

Në Rudnic, rreth 10 mijë refugjatë serbë të Kosovës marshuan drejt njërit prej kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i dhënë një mesazh misionit të OKB-së se ata duan të kthehen në shtëpitë e tyre, nga ku u larguan, apo u detyruan të largohen pas luftës. Serbët marshuan me thirrjet: “Kosova është e jona, ne duam të kthehemi përsëri!”

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalizad, tha se zgjidhja e statusit të Kosovës do të zgjidhet brenda disa javësh. "Mendoj se është shumë e rëndësishme që procesi i zgjidhjes së satusit të Kosovës të përfundojë me sukses. Zoti Ahtisaari ka bërë një propozim dhe ne duhet të marrim një vendim lidhur me planin e tij",- shtoi ai.

15 diplomatë të Kombeve të Bashkuara u takuan me udhëheqësit e serbëve dhe shqiptarëve dhe vizituan qytetet e deri fshatra të thella, për të dëgjuar njerëzit që kanë vuajtur për shkak të urrejtjes ndëretnike, që u ka marrë jetën mijëra njerëzve gjatë luftës në vitet 1998-99. Ato që panë në Kosovë, do ta ndihmojnë misionin faktmbledhës ta informojnë Këshllin e Sigurimit në debatin që do të zhvillojë mbi planin Ahtisari, që do t’i jepte Kosovës pavarësi nën mbikqyrjen e Bashkimit Evrpian dhe Shteteve të Bashkuara.

Plani, i hartuar nga zoti Ahtisari u miratua nga udhëheqësit shqiptarë, të cilët shpresojnë ta fitojnë pavarësinë deri nga fundi i majit. Por zyrtarët serbë, të cilët kanë paralajmëruar për ndarjen e pjesës veriore të Kosovës, me shumicën e popullsisë serbe, në rast se Kosovës i jepet pavarësia, nuk e pranuan planin Ahtisaari.

Mbrëmë, diplomatët e OKB-së vizituan qytetin e ndarë të Mitrovicës, të ndarë nga lumi Ibër. Ura e Mitrovicës që ndan pjesën e qytetin të banuar nga shqiptarët me atë të banuar nga serbët, shërben si një kujtesë për armiqësinë mes dy komuniteteve. Të 15 diplomatët e kaluan më këmbë urën e Mitrovicës, që në çdo rast është simbol i shpresës për paqen dhe për dështimin e arritjes së saj të plotë.

Kosova është ndalesa e fundit e vizitës 4-ditëshe të misionit fakmbledhës të Këshillit të Sigurimit, që përfshiu takime në Belgjikë me zyrtarë të BE-së dhe NATO-s, të cilët u kërkuan ambasadorëve ta miratojnë planin Ahtisari. Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët evropianë kanë paraljmëruar se vonimi i statusit të Kosovës do të mund të shkaktonte dhunë të mëtejshme në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG